Kush e bindi dhe pse shkoi Rugova ta takojë Millosheviçin?

  • G.G /
  • 16 January 2021 - 13:00
Kush e bindi dhe pse shkoi Rugova ta takojë Millosheviçin?

Ruben Avxhiu nga gazeta e shqiptarëve të Amerikës, Illyria ka publikuar një artikull, që bën me dije fakte interesante të një prej takimeve më dramatike dhe të debatura nga opinioni publik shqiptar, ai mes Millosheviçit dhe Ibrahim Rugovës.

Më poshtë është edhe teksti i gazetarit, ku bëhen me dije fakte se kush e bindi dhe përse shkoi Rugova ta takojë Millosheviçin.

Ja pikënisja e takimit mes Millosheviçit dhe Rugovës

Ishte vendosja në krye të diplomacisë amerikane e zonjës Madeleine Albright që e bëri Ambasadorin Christopher Hill, në rolin e diplomatit kryesor amerikan për Kosovën.

Në maj 1998, ajo i telefonoi në ambasadën e Shkupit dhe e pyeti nëse mund të merrte përsipër detyrën e të dërguarit për çështjen e Kosovës. Hill nuk u habit sepse kishte pasur tashmë sinjale që po mendohej si njeriu më i përshtatshëm për atë punë, por ai dyshonte nëse do të kishte sukses ndërmjetësimi mes Serbisë dhe shqiptarëve në atë gjendje.

Albright e kishte zhvendosur Gelbartin në punët e Bosnjes dhe i tha Hillit që të udhëtonte në Londër për të takuar Holbrooke dhe që aty të dy do të shkonin në Beograd, ku arkitekti i Dayton-it do ta prezantonte me Milosevicin duke ia hapur rrugën e komunikimit.

Holbrooke kuptohet kishte avantazhe që asnjë diplomat tjetër amerikan kishte me Milosevicin. Ai kishte dy vite që kishte lënë diplomacinë dhe i ishte futur sektorit privat ku kishte bërë shumë para, mirëpo dukej që e kishte marrë malli për ethet e politikës dhe në fakt, vetëm pak kohë pas takimit me Hillin u emërua si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB.

Njohja me Milosevicin: “Kosova është çështja jonë e brendshme!”

Presidenti jugosllav i priti krahëhapur sikur të ishin miq të vjetër,në Pallatin e Bardhëm, në Beograd, kurse të ngarkuarit me punë nga ambasada, Richard Mile, ia dha dorën ftohtë.

U ul dhe filloi të reminishonte për “kohët e bukura” të kaluara në Dayton, duke i shokuar me një shaka raciste. “E dini se cila ishte arritja më e madhe në Dayton? Amerikanët mësuan se çfarë do të thotë të bashkëjetosh me myslimanë.”

Ai me sa duket e kishte pasur fjalën për debatet e gjata dhe të vështira me Izetbegovicin lidhur me kushtet e paqes. Milosevici ishte i vetmi që qeshi me “shakanë” e tij, ndërsa në dhomë ra heshtja.

Më në fund Holbrooke e sqaroi diktatorin serb se Hill ishte zgjedhur nga Presidenti Bill Clinton, Sekretarja Albright dhe si të dërguarin amerikan për krizën në Kosovë.

Milosevici ktheu sytë nga Hill, që në Dayton kishte pasur një rol më të vogël tundi kokën pastaj, duke u anuar djathtas me dorën mbi gju, tha: “Zoti Richard Charles Albert Holbrooke” (Milosevic ishte nga të paktët që kishte mësuar emrin e plotë të diplomatit Holbrooke dhe i shijonte që ta thërriste ashtu. “Nuk ka krizë në Kosovë. Janë vetëm pak shqiptarë separatistë për të cilët i pëlqen të flasë media amerikane. Po merren forcat tona të sigurisë me to. Mos u lodhni me një krizë ”.

Kur Holbrooke i tha se gjithsesi gjendja po bëhet serioze dhe duhet të zgjidhet, ai u përgjigj.

“Nuk dua të dërguar. Kosova është pjesë e Serbisë. Është një problem i brendshëm. Serbia nuk do të pranonte kurrë që një huaj që të merrej me çështjet tona të brendshme”.

Gjithsesi, ai tha se Ambasadori Hill mund të shkonte ku të dëshironte nëpër Kosovë dhe mund ta takonte Milosevicin kur të donte.

Si doli nga “xhepi” takimi Clinton-Rugova

Pas kësaj, vërtet që udhëtuan në Kosovë. Aty Hill e prezantoi Hobrooke me Rugovën dhe udhëheqës të tjerë të LDK-së. Lajmi se Hill do të ishte i dërguari i ri e gjallëroi Rugovën që i ftoi më pas që të shkonin si miq në shtëpinë e tij. “Në fillim kujtova se druhej se na përgjonin serbët, po pastaj e kuptova se ai thjesht donte ta mbante ndezur televizorin gjithë kohën”, shkruan Hill.

Holbrooke i bëri të njëjtën pyetje që i kishte bërë Milosevicit, nëse do të shkonte në Beograd për një takim me presidentin Milosevic.

Rugova nuk ishte i interesuar kështu që filloi të shpjegohej, kur papritur Holbrooke i tha se nëse e takonte Milosevicin, mesiguri Presidenti Bill Clinton do të ishte shumë i interesuar që ta priste si vizitor në Shtëpinë e Bardhë.

Hill thotë se këto vizita përdoren shpesh për të joshur palët që të pranojnë bisedime, po shpesh janë premtime që nuk mbushen. Të arrish të fusësh një takim të paparashikuar në kalendarin e presidentit është diçka e pamundshme.

Po Holbrooke gëzonte në atë kohë një pushtet të madh në Ëashington dhe e realizoi atë që deshi.

Dhe vërtet në 15 maj, Hill asistoi në takimin Rugova-Milosevic bë Beograd, ku nuk u arrit asgjë dhe në 28 maj, Rugova u prit në Zyrën Ovale nga Bill Clinton, ku sipas Ambasadorit Hill përsëri nuk u arrit asgjë.

Po mbi të gjitha diplomati kujton në librin e tij se Holbrooke po injoronte një fakt që në vitin 1998, Rugova nuk ishte më i vetmi aktor politik në Kosovë. Në terren kishte lindur UÇK-ja e cila dalëngadalë do të bëhej palë e pashmangshme e vendimeve për të ardhmen e Kosovës.

Pak ditë më pas në Drenas, UÇK vrau një polic serb dhe policia serbe reagoi me dhunë të egër kundër civilëve. Deri në 20 shqiptarë mund të jenë vrarë në ato ditë, tregon ambasadori për të kujtuar se ndërsa takimet Milosevic-Rugova dhe Rugova-Clinton kishin bërë bujë në media, ato nuk po ndikonin në qetësimin e gjendjes në Kosovë.

Në 1 qershor Hill filloi vajtje-ardhjet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe në punën e tij ndërmjetëse shfaqen tre emra vartësish e ndihmësish që më vonë do të dalin në moment të ndryshme të historisë së Kosovës, në poste krejt të tjera. Tina Kaidanoë, Philip Reeker dhe Paul Jones.

(Kosova Sot Online)