Kur Mimoza Kusari akuzohej se po bëhet milionere

  • A.P /
  • 01 February 2021 - 16:38
Kur Mimoza Kusari akuzohej se po bëhet milionere

Marrëdhëniet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lilës nuk kanë qenë gjithnjëë të mira. Kryetarja e Alternativës e cila për herë të dytë garon në zgjedhje brenda listës së VV’së, ishte jo rrallë në qendër të kritikave nga partia e Kurtit.

Kusari-Lila u kritikua shumë nga dega e VV’së në Gjakovë në kohën sa shërbeu si kryetare e kësaj komune. Por, veçanërisht kritika të ashpra ndaj saj pati kur ajo ushtronte pozitën e Ministres së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Thaçi 2, përgjatë viteve 2011-2013.

Ajo konsiderohej si njëra nga përgjegjëset për procesin e privatizimit dhe akuzohej se bashkë me pushtetarëë të tjerë po pasurohej personalishr, teksa qindra mijëra punëtorë humbnin vendin e punës.

Në një aksion të vitit 2012, VV e Kurtit kishte realizuar një aktivitet pikërisht lidhur me procesin e privatizimit, duke e cilësuar atë si lojë. Aktivistë të kësaj partie kishin mbushur qytetin e Prishtinës dhe qytete të tjera me afishe ku shkruante “Kush do të bëhet milioner?”. Poshtë pyetjes ishin të vendosura katër opsione: Hashim Thaçi, Besim Beqaj, Mimoza Kusari dhe Adem Grabovci.

Por për dallim nga kuizet tjera të këtij lloji ku ka një përgjigje të saktë, VV kishte sqaruar përmes një fusnote në fund të afisheve se në këtë rast të gjitha përgjigjet ishin të sakta. “Mos ke frikë, të gjitha përgjigjet janë të sakta”, shkruhej në to.

Në këto zgjedhje Alternativa e Mimoza Kusari-Lilës garon brenda listës së VV edhe me dy anëtarë të tjerë nga partia e saj.


(Kosova Sot Online)