IPK tregon se si ia nxorën pamjet policit që e sulmonte të riun në stacionin policor

  • A.P /
  • 01 February 2021 - 18:28
IPK tregon se si ia nxorën pamjet policit që e sulmonte të riun në stacionin policor

Gjatë vitit të kaluar, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka pranuar 1650 ankesa nga qytetarët lidhur me shkeljen e detyrës zyrtare të zyrtarëve policorë.

Kushtrim Hodaj nga Inspektorati i Kosovës ka deklaruar se gjatë vitit pranojnë shumë ankesa nga qytetarët, qoftë në procesit e arrestimit ose gjatë intervistimit në stacionin policor.

“Gjatë 2020-s kemi pranuar 1650 ankesa, 200 ankesa ndërlidhen e punën e zyrtarëve policorë. Ky numër i ankesave është për 15 për qind më i madh se viteve të kaluara. Kjo është bërë për shkak të masave anti-COVID, që qytetarët janë ankuar me procesin e ndalimit nga Policia”, ka deklaruar Hodaj.

Lidhur me rastin ku një zyrtar policor, Haris Kelmendi ka ushtruar dhunë ndaj një të ndaluari në stacion policor, Hodaj ka thënë se ishte tejkalim i kompetencave dhe pamjet e sulmit i kanë parë nga telefoni i një qytetari.

“Kemi kontaktuar prokurorin kompetent për rastin, më pas kemi pasur komunikatë ku njoftonte se ishte arrestuar një zyrtar gjatë kryerjes së detyrës. Kemi ndërmarrë veprime të menjëhershme. Ne e kemi identifikuar lehtë zyrtarin që ka përdorur forcë, më pas i kemi identifikuar edhe zyrtarët e tjerë”, ka potencuar ai.

Hodaj ka theksuar se Inspektorati i Policisë së Kosovës ka trajtuar të gjitha ankesat e qytetarëve mirëpo sipas tij, nuk është e lehtë të identifikohet kur dhuna ndodhë brenda stacionit policor.

“Ne si institucione kemi trajtuar të gjithë ankesat e qytetarëve nuk është e lehtë kur dhuna ndodhë brenda stacionit. Kemi bërë një inspektim të përdorimit të dhunës nga zyrtarët policorë. Rasti në fjalë dhe rastet e tjera janë vepra penale. Kjo formë e dhunë është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka thënë ai.

Hodaj ka theksuar se kanë reaguar edhe në momentet kur liderët politikë kanë shkelur masat anti-COVID.

“Gjatë zbatimit të masave kemi pranuar disa ankesa nga ana e qytetarëve për reagime selektive Të gjithë qytetarët duhet të trajtohen të barabartë. Kemi bërë suspendimin e 12 zyrtarëve policorë që nuk e kanë kryer detyrën e tyre në ndalimin e tubimeve të subjekteve politike” ka thënë ndër të tjera Hodaj.

(Kosova Sot Online)