Armend Zemaj flet për tre skenarët e IKSHPK’së: Kështu do të jenë shkalla e goditjes nga virusi dhe numri i vdekjeve

  • E.K /
  • 22 February 2021 - 12:00
Armend Zemaj flet për tre skenarët e IKSHPK’së: Kështu do të jenë shkalla e goditjes nga virusi dhe numri i vdekjeve

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mbledhjen e sotme të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, ka folur për situatën epidemiologjike në vend.

Zemaj tha se duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publiken të Kosovës, gjendja me pandeminë është nën kontroll.

“Nëpërmjet të dhënave të mbledhura nga IKSHPK gjendja e pandemisë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për asnjë alarm të çfarëdo natyre. Situata epidemiologjike tregon ulje simbolike në dy javët e fundit për 1.16 për qind, por me shenja të mundësisë së rritjes së rasteve pozitive në këtë javë”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka folur për skenarët e paraqitur nga IKSHPK’ja, ku tregohet për parashikimin e gjendjes me pandeminë gjatë ditëve të ardhshme.

“Janë tre skenarë që janë paraqitur nga IKSHPK, sipas skenarit të lehtë, shkalla e goditjes do të jetë 1 për qind, me shkallë të vdekshmërisë 3.3 për qind. Në skenarin e mesëm, shkalla e goditjes do të jetë 2 për qind, me shkallë të vdekshmërisë 5.3 për qind. Dhe skenari më I ashpër bazuar në statistikat e situatës epidemiologjike aktuale me COVID-19 në rajon dhe botë, shkalla e goditjes pritet të jetë 3 për qind e popullatës me një shkallë të vdekshmërisë prej 7.1 për qind”, ka deklaruar Zemaj.

“Sipas projeksionit të Institutit, deri më 21 shkurt, duke marrë për bazë numrin e rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19, numri I të sëmurëve do të variojë prej 312 deri në 321 raste,  mesatarja 317 raste në 100 mijë banorë, që do të paraqiste një rritje prej 6.9 për qind, kurse numri i të vdekurve 4 deri në 5 raste të vdekjes”, ka bërë të ditur Zemaj.

(Kosova Sot Online)