“Kosovarët më të interesuar se serbët për integrim në BE”

  • E. /
  • 25 March 2021 - 11:07
 “Kosovarët më të interesuar se serbët për integrim në BE”

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot ka mbajtur një konferencë për medie, ku u tha se kosovarët janë më të interesuar se serbët për integrim në BE.

Kjo konferencë u thirr me rastin e lansimit të dy raporteve të fundit në serinë e publikimeve të dala nga anketa e kryer nga QKSS “Barometri Kosovar i Sigurisë”.

Gjetjet e këtij raporti treguan se 92 për qind e të anketuarve kosovarë e mbështesin integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Për dallim nga Kosova, vetëm 43 për qind e të anketuarve serbë e mbështesin integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

 “Edhe pse Kosova është përkrahëse e madhe për integrim në Bashkimin Evropian, qytetarët kanë vërejtur se BE aplikon standarde të dyfishta sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave”, ka thënë Plator Avdiu nga QKSS.

“Sipas të anketuarve, prioriteti i parë për integrimin e Kosovës në BE është luftimi i korrupsionit”.

(Kosova Sot Online)