Ja pse Erdogan ka kaq shumë ndikim në Ballkan

  • A.P /
  • 02 April 2021 - 15:34
Ja pse Erdogan ka kaq shumë ndikim në Ballkan

Është e vështirë të kuptohet joshja që kanë njerëzit ndaj Recep Tayyip Erdogan, në rast se nuk e keni parë kurrë direkt gjatë një fjalimi. Në majin e vitit 2018, boshnjakët kaluan në delir kur presidenti turk mbajti një tubim në Sarajevë.

Autokolona e tij kaloi nëpër rrugët e vjetra të qytetit,e shoqëruar nga shumë truproja. “Erdha këtu pasi doja të kuptoja se përse turqit e duan presidentin e tyre”- më tha një e re nga turma. “Bosnja nuk ka asnjë lider si ai”- shtoi ajo.

Ahmet Erdi Ozturk, një akademik turk me banim në Britaninë e Madhe, e dëgjoi të njëjtën gjë shumë herë gjatë vizitave që ka kryer në rajonin e Ballkanit midis viteve 2015-2018. Ajo ishte një nga periudhat më të trazuara në historinë moderne të Turqisë, pasi militantët kurdë e rifilluan luftën e tyre kundër shtetit turk, përmes sulmeve terroriste të kryera nga ISIS dhe PKK, lëvizja guerile kurde, teksa një fraksion brenda ushtrisë u përpoq pa sukses, që të rrëzonte Erdoganin nga pushteti.

Me të dëgjuar emrin tipik turk të Ozturk, të intervistuarit nxitonin të shprehnin mbështetjen e tyre për Erdogan,si dhe admirimin e tyre për gjithçka që ai kishte bërë. Një pjesë e madhe e këtij admirimi kishte të bënte me fenë. Ata supozuan, pa pyetur paraprakisht, se Ozturk ishte një mysliman i devotshëm, dhe për këtë arsye një admirues i Erdogan.

Komunitetet islamike janë të shpërndara në të gjithë Ballkanin. Disa prej tyre flasin turqisht edhe pse shumica nuk janë turke. Dhe gjatë18 viteve të tij në pushtet, Erdogan ka bërë vazhdimisht përpjekje t’i joshë ata me arsyetimin se ai është mbrojtësi i tyre.

Dhe në pamje të parë, siç u pa me tubimin në Sarajevë, ai duket se ka pasur sukses. Por tek libri i tij i fundit“Feja, identiteti dhe pushteti”, Ozturk përshkruan në detaje depërtimin fetar të Turqisë në 3 vende të Ballkanit, Shqipëri, Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, duke zbuluar një panoramë shumë më komplekse.

“Ndërsa disa vende dhe grupime – kryesisht myslimanët konservatorë – e mirëpresin ndikimin e Turqisë, të tjerët e analizojnë atë me kujdes dhe shqetësim”- shkruan ai. Kryesisht, kjo ka të bëjë me Islamizmin gjithnjë e më të hapur të Erdogan që nga viti 2013, kur ai eliminoi rivalët brenda partisë së tij, dhe kur shtypi me dhunë një rebelim të të rinjve në Turqi.

Në Bullgari, zyrtarët e shtetit i treguan Ozturk se si e kishin mirëpritur kontributin e Diyanet, agjencisë shtetërore fetare të Turqisë në vitet 1990, kur autoritetet bullgare po mendonin se si ta ri-fusnin fenë në jetën publike pas rënies së komunizmit.

Në atë kohë, një Turqi laike premtonte të ishte një forcë e moderuar përkundër formave më radikale të Islamit të Lindjes së Mesme. Tani, qeveria bullgare është e shqetësuar për atë që ajo e sheh si ndikimin potencialisht radikalizues të Turqisë së Erdogan.

Gjithsesi, strukturat e Ankarasë janë aq shumë të ngulitura,saqë autoritetet vendase nuk janë të afta që t’i ç’rrënjosin plotësisht ato. Në Shqipëri, Ozturk mësoi se ndërhyrjet e Turqisë kanë thelluar ndarjet midis fraksioneve të ndryshme islamike të vendit. TIKA, agjencia shtetërore turke e rindërtimit, ka ndërtuar dhe riparuar shumë xhami dhe qendra islamike atje, siç ka bërë edhe diku tjetër në rajon.

(Kosova Sot Online)