Të moshuarit thonë se është e domosdoshme të vaksinohen të gjithë

  • A.P /
  • 18 prill 2021 - 13:16
Të moshuarit thonë se është e domosdoshme të vaksinohen të gjithë

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, të dielën deri në mesditë janë vaksinuar 103 të moshuar më sëmundje kronike.

Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, tha se për tri ditë janë vaksinuar 827 persona me sëmundje kronike, ndërsa gjithsej janë vaksinuar 1180 të moshuar.

“Sot është dita e tretë sa i përket personave me sëmundje kronike të grupmoshës 75 deri në 79 vjeç dhe deri në këto momente që po flasim kemi të vaksinuar 103 persona për dallim nga dy ditët e mëparshme kemi pasur numër më të madh të njerëzve por nga data 8 kur kemi filluar me grupmoshën mbi 85, 60 dhe 75  kemi 2035  persona të vaksinuar, nëse i referohemi  vetëm pjesës së sëmurave kronikë kemi 827 persona të vaksinuar, nëse i referohemi të moshuar deri më tani kemi pasur 1180, për këtë ngelet të shohim se si e kemi situatën me vaksina”.

I moshuari Muharrem Gashi tha  se po ndihet mirë dhe nuk ka asnjë dhimbje pas marrjes së vaksinave.

“E kam pasur Coronavirusin dhe e kam kaluar dhe më ka munduar shumë. Duhet me marr se mos po e mbarti te nipat e mbesat se sa për veti s’e kisha marrë”, tha ai.

Ndërsa, Smajl Isufi, theksoi se është e domosdoshme që të gjithë të vaksinohen.

“Tani po ndihem shumë mirë. Dhe është e domosdoshme ta marrë secili. Dhe ma shumë po vdesin ata s’janë të vaksinuar se ata që janë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)