AAK i reagon Vetëvendosjes rreth pagesës së rrymës në veri

  • A.P /
  • 28 April 2021 - 18:11
AAK i reagon Vetëvendosjes rreth pagesës së rrymës në veri

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës në veri, edhe për gjashtë muajt e ardhshëm. E për këtë, ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Në reagimin e AAK’së thuhet se Qeveria e Kosovës po bie në shantazhin e serbëve të veriut.

“11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për një pakicë e cila vetë dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona. Ky është propozimi, i cili kaloi sot nga deputetët e VV-së në Komisionin përkatës. Është e habitshme, që pas arritjes së pavarësimit energjetik, qeveria e Kosovës të bie në shantazh të serbëve të veriut”, thuhet në reagimin e AAK’së.

AAK cilëson se nga ky veorim, do të ketë një zinxhir të dëmeve tjera.

“Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet me djersën dhe kontributin e shumicës prej nesh, nga ky veprim, kemi një zinxhir të dëmeve të tjera. Me këtë, Kuvendi pajtohet që Republika e Kosovës, nuk ka potencial të jetë vend jo diskriminues e shtet i së drejtës dhe është shtet që inkurajon shkelësit e ligjit, ta keqpërdorin rrymën, duke e shfrytëzuar jo racionalisht dhe madje duke e shfrytëzuar me qëllime të dëmtimit të kapacitetit energjetik të vendit. Kjo pastaj rezulton edhe me blerjen e energjisë, kur ajo nuk mjafton, duke ndikuar në rritjen e kostos”, deklaron AAK.

Tutje, partia e Ramush Haradinajt thotë se Qeveria nuk ka kapacitet të zbatojë Ligjin efektivisht në tërë territorin e Kosovës, e as ta vazhdojë integrimin e pjesës veriore të saj.

“Në momentin kur kemi procesin e Brukselit, kjo dëshmon që qeveria nuk ka kapacitet të zbatojë ligjin efektivisht në tërë territorin e Kosovës, e as të vazhdojë integrimin e pjesës veriore të saj. Ky është zhvillim i tmerrshëm, në një kohë pandemie, kur buxheti dhe ekonomia familjare e njerëzve që e duan Kosovën po sfidohen”, thuhet në reagimin e AAK’së.

Ndryshe, propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.

Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serbë në veri.

Propozimi i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT-i.

“Nuk jam për ta legalizuar për mbulimin e shpenzimeve në veri. Qeveria duhet të bëj zgjidhje, unë jam kundër pagesës, por meqë nuk keni zgjidhje, mos të rrezikohet anëtarësimi me ENTS-E”, tha ai.

Deputeti Uran Ismaili ka qenë kategorik që të ndërpritet mbulimi i shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore.

“Në pandemi kur shumë biznese dhe qytetarë janë në hall të madh të mbijetesës, ndërsa kërkohet që KOSTT-i me të hyrat e saj të paguaj rrymën në veri. Kjo nuk duhet toleruar, por duhet të bëj zgjidhje vet Qeveria”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT-it me 11 milionë euro është e pa tolerueshme.

Dje ka raportuar Ministrja e Ekonomisë në këtë Komision e cila ka theksuar se ende nuk kanë gjetur mjete për kërkesën financiare të KOSTT-it.

Ndërsa, drejtues të KOSTT-it kanë thënë se kanë mjete të mjaftueshme nga të hyrat e tyre për pagesë vetëm e vetëm që të ruajnë anëtarësimin me ENTS-E.

Me 6 vota për, Komisioni votoi propozimin e deputetes Mimoza Kusari.

KOSTT-i detyrohet që për çdo dy muaj t’i raportoj Kuvendit të Kosovës për shpenzimet e rrymës në veri.

(Kosova Sot Online)