Premtimi 1 mijë vjeçar për paqe, familjet myslimane që ruajnë Kishën e Shenjtë në Jerusalem

  • G.G /
  • 14 May 2021 - 08:04
Premtimi 1 mijë vjeçar për paqe, familjet myslimane që ruajnë Kishën e Shenjtë në Jerusalem

Jerusalemi, qyteti i rëndësishëm për të gjitha fetë, ku gjenden vende të shenjta si Kisha e Varrit të Shenjtë, apo xhamia al-Aksa, e ku tensionet e dhunshme që zgjasin prej vitesh, nuk e zbehin traditën dhe respektin mes feve.

Një gjë të tillë e dëshmon historia e dy familje myslimane, të cilët ruajnë çelësat e dyerve të kishës më të shenjtë të Jerusalemit, në mënyrë që të mbajnë paqen midis tre konfesioneve të krishtere. Adeeb Jawad Joudeh Al Husseini, është pasardhësi që aktualisht kryen detyrën e trashëguar prej shekujsh nga dhjetëra breza të të parëve të tij, duke ruajtur kishën ku besohet se gjendet varri i Jezusit.

Al Husseini, zotëron një çelës hekuri që është i vetmi që mund të zhbllokojë dyert e kishës prej druri, një detyrë që, sipas tij, iu dha familjes së tij nga udhëheqësi Saladini, i cili donte të sigurohej që kisha të mos dëmtohej nga myslimanët, pas ngjarjes në vitin 1009 kur kalifi Fatimid al-Hakim urdhëroi që një numër kishash të digjeshin në Tokën e Shenjtë, përfshirë Varrin e Shenjtë.

Anëtarët e familjes së Al Husseini, së bashku me një familje tjetër myslimane, Nuseibehs, janë bërë pjesë e përhershme e strukturës së komplikuar të kishës. Kompleksi kishtar tani përdoret nga gjashtë kisha të ndryshme antike – Katolike Romake, Ortodokse Greke, Ortodokse Armene, Ortodokse Siriane, Ortodokse Etiopiane dhe Ortodokse Koptike. Çdo mëngjes kur dyert e kishës hapen në 4 të mëngjesit, anëtarët e dy familjeve zhbllokojnë shulin e hekurt dhe shtyjnë një derë. Pastaj një klerik, sipas radhës së konfesioneve fetare, hap derën tjetër nga brenda, duke u mbikëqyrur nga klerikët e besimeve të tjera. E njëjta gjë ndodh edhe kur kisha mbyllet në 7 pasdite. Të dyja familjet e besimit islam, përveç detyrës së tyre për të hapur dyert përmes çelësit të trashëguar, ruajnë edhe kishën nga vandalët e ndryshëm.

Gjatë gjithë historisë ka pasur përplasje – ndonjëherë të dhunshme – midis konfesioneve të ndryshme mbi kontrollin e zonave të caktuara të kishës dhe fuqitë lokale, veçanërisht gjatë kohës osmane dhe  vazhdoi për vite. Edhe pse kishat tani bashkëpunojnë më mirë se në të kaluarën, sërish mbështeten te policia izraelite për të mbajtur rendin, por “rojtarët” myslimanë janë një mishërim i asaj se si traditat e mbajtura prej kohësh kanë përcaktuar historinë e “Qytetit të paqes”.  

(Kosova Sot Online)