Përfundon seanca e Kuvendit, pozitë e opozitë mezi merren vesh për seancën e radhës

  • A.P /
  • 17 May 2021 - 20:00
Përfundon seanca e Kuvendit, pozitë e opozitë mezi merren vesh për seancën e radhës

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për programin qeverisës është shtyer për të mërkurën, pas debateve të shumta ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës për caktimin e datës së saj.

Kryesia e Kuvendit, gjatë ditës së sotme kanë marrë vendimin që seanca e radhës të mbahet të mërkurën. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke sqaruar se programi udhëheqës i qeverisë nuk do vihet në votim.

Deputetët e partive opozitare në Kuvend kanë kërkuar që seanca të vazhdojë kurdo që të kthehet Kurti nga vizitat në Bruksel, vizitë kjo për të cilin shefi i ekzekutivit ka thënë se do të mbahet në shenjë të darkës tradicionale, e jo për dialogun.

Kryetari i Grupit Parlementar të LDK’së, Arben Gashi, ka kërkuar që seanca të vazhdojë kurdo që kryeministri Kurti të jetë i gatshëm të prezantojë programin qeverisës përpara deputetëve. Ndër të tjera, kërkesë e subjektit të tij politik ka qenë që të raportohet në Kuvend përpara përfaqësuesve në Kuvend lidhur me takimin në Bruksel, sikurse kërkonte Kurti sa ishte në opozitë.

“Konstatimi se kryeministri ka ftu seancë të jashtëzakonshme qëndron. Kryeministri e ka ftu një seancë të jashtëzakonshme për ti thanë diçka të jashtëzakonshme dhe për ti thënë diçka të jashtëzakonshme duhet të jetë këtu. Pra, duhet të jetë këtu kryeministri, që t’i përgjigjet Kuvendit dhe kurdo që është i gatshëm në çdo kohën e jemi të gatshëm me ardhë me diskutu me kryeministrin. Në fund të ditës po na del që kjo seancë është e pa arsyeshme. Nëse këtë nevojë e lidh me takimet në Bruksel, atëherë edhe atë le ta bën. Pra, kryeministri dhe Lëvizja Vetëvendosja ka insistuar se para çdo vizitës që ka të bëjë me raportet me Serbinë, kryeministri duhet me i raportu Kuvendit”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kërkesë të njëjtë kanë pasur edhe nga radhët e PDK’së sa i përket përcaktimit të datës së seancës së ardhshme në Kuvend. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi, ka kritikuar mos-prezencën e Kurtit në seancën e mbajtur sot.

“Realisht në pikë të ditës është me rëndësi të jetë kryeministri pasi e ka ftuar këtë seancë. Nuk e kemi ftuar as ministrat as deputetët. Për fat të keq ai gjatë gjysës së kohës ka munguar. Me qenë se ju thatë se ai do të udhëtojë drejt Brukselit për takim me Vuçiqin. Unë propozoj që ai të përgatitet që ai të vijë në Kuvend. Edhe po të kalojnë nja tri ditë të tjera pasi të kthehet kryeministri atëherë nuk ka problem. Ne propozojmë që të mbahet të enjten vetëm nëse është kryeministri. Nëse jo atëherë të premten. Është me rëndësi që ai të jetë këtu”, ka deklaruar ai. 

(Kosova Sot Online)