Ju asgjësohen pulat disa fermerëve kosovarë

  • A.P /
  • 23 June 2021 - 17:43
Ju asgjësohen pulat disa fermerëve kosovarë

Në 37 ferma deri më tani janë asgjësuar me mijëra shpezë. Kjo për shkak të përhapjes së virusit H5N8 në Kosovë. Edhe fermerët janë dëmtuar financiarisht nga asgjësimi i shpezëve të infektuar nga AVUK. Këta të fundit thanë se me udhëzim administrativ është e rregulluar që të ndodh kompensimi për fermerët e dëmtuar

Fahri Bicit, fermer nga fshati Koliq i Prishtinës të premten e javës së kaluar i janë asgjësuar 711 copë zogj e pula. Kjo pasi, ato rezultuan pozitiv me virusin H5N8, nga analizat e bëra në Agjencinë e Ushqimit e Veterinarisë.

Por, për Fahriun dëmi ishte edhe më i madh. Para asgjësimit atij i ngordhën edhe rreth 500 copë të tjera shpezë, teksa në total, numri i pulave dhe zogjve të ngordhura në fermën e tij ishte mbi njëmijë.

Në një bisedë, ai tregoi edhe për sëmundjen që e morën pulat e tij, teksa tha se nuk e di se nga virusi arriti edhe tek ferma që ai mirëmban.

“Rreth 400 copë zogj, 70 pula dhe pesë knojsi  më ngordhin çdo ditë për një muaj rresht. Ua kam bërë analizat dhe dolën që janë me virus. Erdhën më pas ekipi dhe i mbytën edhe 711 tjera që kishin mbetur. Virusi nuk e di se nga u erdhi. Deri më tani të gjitha ato më kanë kushtuar rreth 5000 euro dhe nuk e di se a do t’i kompensojë shteti. Mosha e tyre ka qenë rreth gjashtë muajsh”, tha ai.


(Kosova Sot Online)