Kapi për flokë të dashurën dhe e goditi me shuplakë në fytyrë pse i fshiu mesazhet në Fb, dënohet me 300 euro

  • E.K /
  • 02 July 2021 - 15:24
 Kapi për flokë të dashurën dhe e goditi me shuplakë në fytyrë pse i fshiu mesazhet në Fb, dënohet me 300 euro

E.M është dënuar me 300 euro gjobë pasi ka pranuar fajësinë për akuzën se ka kapur për flokë të dashurën dhe e ka goditur me shuplaka shkaku i fshirjes së disa mesazheve në Facebook.

Përveç dënimit me gjobë, gjykatësja e rastit Lumnije Krasniqi njoftoi të akuzuarin se duhet të paguajë edhe paushallin gjyqësorë prej 50 euro.

“Po e pranoj fajësinë”, ka thënë paraprakisht i akuzuari.

Prokurori i shtetit Musa Mehaj, e pranoi këtë pranim të fajësisë duke marrë parasysh se ky është i mbështetur në provat materiale që gjenden në aktakuzë, dhe kërkoj që ky pranim të iu vlerësohet si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Irfan Thaçi ka thënë se pas konsultimit të tij me të akuzuarin, kanë ardhë në përfundim se ai duhet ta pranoj fajësinë.

“I mbrojturi im është student i studimeve posdiplomatike në Master, e të cilit i është ofruar një mundësi studimeve në Gjermani. I mbrojturi im me vetë dëshirë ka shprehë që këtë çështje ta përfundojë para kësaj gjykate”, ka thënë avokati Thaçi.

Këtë pranim të fajësisë, gjykatësja e rastin Krasniqi e ka aprovuar.

Por, prapëseprapë gjykatësja Krasniqi iu drejtua të akuzuarit duke i thënë se nuk ka rëndësi shkollimi dhe as notat e tij të larta përderisa bën veprime të tilla.

Në bazë të aktakuzës së ngritur në 27 mars 2017, E.M po akuzohet se me datë 13 janar 2017, rreth orës 00:30 minuta, në banesën Mati 1 përballë banesave të “Royal”, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme që kishte me të dashurën e tij E.M lidhur me xhelozinë dhe mesazhe që e dashura i kishte fshirë nga Facebook.

Sipas aktakuzës, në adresën e të dëmtuarës E.M, ka pasur qasje edhe vet i akuzuari, me ç’rast, pasi që i njëjti ka shkuar në banesën e të dëmtuarës, fillimisht ka kërkuar sqarime rreth mesazheve të fshira, me dashje e ka sulmuar të dëmtuarën duke e kapur për flokësh dhe duke e goditur me shuplakë në fytyrë.

Për këtë, E.M po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187 par.3 të KPRK-së.

(Kosova Sot Online)