Në prag të zgjedhje, a po i godet pushteti komunat e udhëhequra nga opozita?

  • A.P /
  • 15 July 2021 - 15:56
Në prag të zgjedhje, a po i godet pushteti komunat e udhëhequra nga opozita?

Policia e Kosovës sot ka marrë urdhër për ta zhvilluar një aksion që ka nisur në mëngjes. Njësi të Policisë kanë arrestuar rreth 10 zyrtarë gjatë këtij aksioni, i cili ka përfshirë tri komuna, dy prej të cilave udhëhiqen nga LDK-ja, ndërsa njëra nga AAK-ja. Nuk është kryer ndonjë aksion në Prizren, ndonëse kjo komunë ka zyrtarë me aktakuza.

Në një komunikatë zyrtare, Prokuroria Themelore e Pejës ka thënë se në këto tri komuna janë kryer bastisje, në përpjekje për të gjetur prova për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me ndërtimet e paligjshme.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme. Për këto veprime në teren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri në një konferencë për media, e ka quajtur spektakël në kohë fushate këtë aksion, teksa tha se janë arrestuar tre zyrtarë të kësaj komune, përkatësisht drejtori dhe një zyrtar i Urbanizmit dhe një zyrtar i Inspektoratit komunal.

“Bëhet fjalë për tri lëndë për të cilat ne para dy javë kemi marrë konfirmuar se kanë pushuar hetimet. Nuk e di pse ka nevojë që në kohë fushate këta zyrtarë të arrestohen në mënyrë spektakulare kur të gjithë kanë qenë të qasshëm për drejtësinë”, ka thënë Muhaxheri.

Ndërkaq në Komunën e Prizrenit, e cila udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i LVV-së, Policia nuk ka zhvilluar ndonjë aksion, ndonëse ka disa vite që ndaj zyrtarëve të kësaj komune, Prokuroria vazhdimisht ngre aktakuza.

Ndaj të paktën pesë drejtorëve të Komunës së Prizrenit, Prokuroria më herët kishte ngritur aktakuza. Drejtori i Inspeksionit, ai i Shërbimeve Publike, drejtori për Kadastër e Gjeodezi, dhe drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe drejtoresha e Arsimit, ishin akuzuar zyrtarisht, teksa kryetari Mytaher Haskuka, në vend të shkarkimit, u ofroi atyre mbështetje të vazhdueshme.

Me këta drejtorë, në disa prej rasteve në aktakuza përfshiheshin edhe zyrtarë të tjerë të komunës.

Para një muaji u ngre aktakuza e fundit nga Prokuroria Themelore në Prizren për dy zyrtarë të kësaj komune. Si në shumicën e rasteve, ata u akuzuan për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas komunikatës për media A.K si udhëheqës i Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe i pandehuri, Sh.K., si përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit që të dy si persona zyrtar, në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 qershor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se synojnë të fitojnë në 3/4 e komunave në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në muajin tetor.

“Në vjeshtë do të jenë zgjedhjet lokale në Kosovë. Data është caktuar 17 tetori. Është detyra jonë, e të gjithë neve, që në këto zgjedhje të punojmë sa më pranë me qytetarët, për të fituar mundësisht pa balotazh. Gjasat i kemi të mëdha thuajse në të gjitha komunat. Duhet të ja mësyjmë e t’i fitojmë 3/4 e komunave”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)