Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, Qeveria ende s’ka përgatitur aplikime

  • A.P /
  • 22 korrik 2021 - 17:45
Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, Qeveria ende s’ka përgatitur aplikime

Në gati 12 muajt e fundit, Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kjo ka ndodhur pasi në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kjo pikë ishte pjesë e Marrëveshjes për normalizim ekonomik, e cila u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësim të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja obligon edhe Serbinë që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Moratoriumi njëvjeçar, që rrjedh nga Marrëveshja e Uashingtonit, skadon në fillim të muajit shtator.

Megjithatë, të pyetur nga rel se kur do të fillojë aplikimi në organizata ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kanë konfirmuar se janë duke u bërë gati disa aplikime, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme është duke u përgatitur për procesin e aplikimit në disa prej organizatave ndërkombëtare. Parapërgatitjet në këtë drejtim po bëhen nga ekipet përgjegjëse në mënyrë që të jemi gati kur të hapen afatet e aplikimeve nga organizatat”, tha për REL zyra për informim e MPJD-së.

Emini: Qeveria nuk e shfrytëzoi moratoriumin për t’i bërë gati aplikimet

Drejtoresha ekzekutive e Platformës Civikos, Donika Emini, beson se Qeveria e Kosovës është dashur që ta shfrytëzojë periudhën njëvjeçare që jetë e gatshme, para shtatorit, për aplikim në organizata si Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Në të kaluarën, institucionet e Kosovës kishin dështuar në momentet e fundit që të merrnin përkrahjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave.

“Askush nuk e ka penguar Kosovën prej përgatitjes së aplikimeve, koordinimit të brendshëm, koordinimin ndërinstitucional për përgatitje në këtë drejtim, sepse ka qenë e qartë se ky afat hiqet në shtator, e në shtator mund të jemi komplet gati, vetëm të fillojnë procedurat”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Emini thotë se qeveria deri më tash ka folur vazhdimisht për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, e që sipas saj, për momentin janë të paarritshme si dhe pengohen për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria është dashur që nga fillimi ta ketë të qartë në vija shumë të detajuara se ku synon të anëtarësohet, se cilat janë ato institucione si dhe kush e udhëheq procesin prej institucioneve të Kosovës për anëtarësim në mekanizma të bashkëpunimit ndërkombëtarë”, thekson Emini.

Më 22 korrik janë bërë 11 vjet prej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Në GJND ishte ankuar Serbia, që vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë përbërëse të saj.

Përkundër vendimit pozitiv të GJND-së, Kosova vazhdon të sfidohet në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Njohja e fundit është ajo e Izraelit, më 1 shkurt të këtij viti. Kjo njohje erdhi pas gati tri vjetësh pa asnjë njohje të re. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova aktualisht njihet nga 117 shtete.

Premtimi i Erdoganit për njohje trazoi Vuçiqin

Por, për sigurimin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës tha se do të angazhohet presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ai tha se këtë do ta bëjë së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden. Kjo deklaratë acaroi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të enjten, më 22 korrik, deklaroi se kushdo që merr vendim për njohjen e Kosovës, Serbia menjëherë do të rifillojë fushatën për tërheqje të njohjeve.

“E respektoj shumë presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe dëshirojmë marrëdhënie sa më të mira me Turqinë, por ne kemi shtetin dhe interesat tona dhe në pajtim me to do të sillemi”, ka deklaruar Vuçiq lidhur me deklaratën e presidentit turk Erdogan se do të punojë për sigurimin njohjeve të reja për Kosovën.

Vuçiq gjatë një vizite në Karagujevc të Serbisë, ka përkujtuar obligimin e Kosovës dhe Serbisë që të mos zhvillojnë fushata për njohje apo për tërheqje të njohjeve.

Por, premtimi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se do të punojë së bashku me SHBA-në për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovës nga analisti politik nga Turqia, Hamdi Firat Buyuk nuk po shihet si iniciativë që vërtetë mund të sjellë rezultate.

Buyuk thotë se Erdogan më shumë e ka përmendur Kosovën në kontekstin e përpjekjes së tij për të ndërtuar lidhje me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

“Ndoshta Turqia dhe SHBA-ja mund të punojnë bashkërisht në këtë pikë, por kjo nuk është një temë e re për të dyja vendet, Turqinë dhe SHBA-në dhe nuk jam shumë i sigurt se çfarë mund të bëjnë më shumë së bashku, sa i takon pavarësisë së Kosovës, në arenën ndërkombëtare.Për të qenë i sinqertë kjo mund të mbetet vetëm retorikë”, thotë Buyuk për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se çfarëdo iniciative e presidentit Erdogan në mbështetje të Kosovës nuk do t’i prishë raportet e Turqisë me Serbinë.

Sipas tij, viteve të fundit, shkëmbimet ekonomike në mes të këtyre dyja shteteve janë shtatë apo tetëfishuar, kështu që interesi ekonomik dominon atë politik.

“Raporti mes të dyja vendeve është në një nivel shumë të mirë, por po ashtu të dy liderët janë shumë pragmatikë. Ata i njohin fushat në të cilat mund të punojnë së bashku, njëjtë siç i njohin fushat në të cilat nuk mund të punojnë bashkërisht. Kosova është një prej fushave në të cilën nuk mund të bashkëpunojnë dhe që të kenë agjendën e njëjtë për shkak të politikave të jashtme që i kanë të ndryshme”, shprehet Buyuk.

Buyuk thotë se Erdogan mund të ushtrojë ndikimin e tij në sigurimin e ndonjë njohjeje të re për Kosovën, por thotë se një gjë të tillë nuk mund ta bëjë te shtetet arabe, pasi ndikimi atje ka rënë për shkak të manovrave ushtarake të Turqisë në Siri dhe Libi e po ashtu për shkak të pozicionit ndaj zhvillimeve në Egjipt.

Së fundmi, një nga pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës në kuadër të BE-së, Greqia, ka dhënë sinjale se mund të lëvizë pozicionin e saj drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Njohja e mundshme e shtetit të Kosovës nga Greqia, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti do të mund të konfirmonte rolin udhëheqës të këtij shteti në rajon.

(Kosova Sot Online)