Tenderat po i fitojnë trafikantët!

  • A.P /
  • 23 July 2021 - 16:10
Tenderat po i fitojnë trafikantët!

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka thirrur për të dëshmuar deputetin e zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste, Petro Koçi.

Koçi është thirrur nga SPAK për të dëshmuar ditën e hënë, më 26 korrik, për deklaratat e tij.

{tv/557910}

SPAK hapi një çështje pas deklaratave të deputetit të zgjedhur, i cili i bëri thirrje Prokurorisë të shkojë në Fier dhe të hetojë financat publike, pasi sipas tij, tenderat po fitohen nga trafikantët.

Deklarata e Koçit bërë pak ditë më parë në faqen e tij të “Facebook”:

Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji.

Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.

Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit, sipas ballkan.

Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona.

Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.


(Kosova Sot Online)