Rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë shëndetësore në Emergjencë për shkak të temperaturave të larta

  • A.P /
  • 01 August 2021 - 15:53
Rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë shëndetësore në Emergjencë për shkak të temperaturave të larta

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, potencon se brenda 24 orëve në këtë Klinikë kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 320 raste, e që sipas tij është numër enorm.

Ai ka thënë se kjo klinikë ka shënuar numër rekord të rasteve të cilet kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore vetëm për periudhën janar-korrik të vitit 2021.

“Klinika Emergjente shënon numrin rekord të rasteve të cilët kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore vetëm për periudhën janar-korrik të vitit 2021. Në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente mbi 50 mijë raste, në krahasim me vitet e kaluara për 30 për qind kemi numrin e shtuar të rasteve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore. Sa i përket muajit korrik në Klinikën Emergjente deri më datën e sotme kanë kërkuar 7 mijë e 531 raste, prej tyre kemi të identifikuar 274 të lënduar në aksidentet ne komunikacion. Në Klinikën Emergjente dominojnë sëmundjet e sistemit  kardiovaskular, sëmundjet neurologjike, pulmologjike, sëmundjet metabolike, po ashtu edhe gjendjet aksidentale, pa e anashkaluar edhe dhomën e reanimacionit ku pranojmë të sëmurët edhe të lënduarit të cilët janë me rrezik jete. Brenda 24 orëve në Klinikën Emergjente kërkojnë mbi 320 raste, që është numër enorm”, thotë ai.

Lenjani bënë të ditur se ditëve të fundit ka pasur shtim të rasteve që kanë kërkuar shërbime emergjente për shkak të temperaturave të larta. Ai thotë se shumica prej tyre janë persona që kanë edhe sëmundje të tjera kronike.

“Edhe ndikimi i faktorëve të ambientit sidomos temperaturat e larta e shtojnë numrin e kërkesave për shërbime emergjente mjekësore, sidomos të sëmurët të cilët kanë sëmundje kronike, nga sëmundjet e zemrës, sëmundjet pulmologjike, sëmundjet neurologjike, sëmundjet metabolike. Po ashtu, edhe numri i shtuar mund të jetë edhe si pasojë e faktorëve aksidental, sidomos goditje nga dielli, goditje nga të nxehtit”, thotë Lenjani për kp.

Derisa ditëve të fundit në vend janë rritur rastet e reja me COVID-19, Lenjani thotë se rastet post-COVID janë ato që po kërkojnë më shumë trajtim në Klinikën Emergjente.

“Një gjendje e cila e ngarkon shërbimin emergjent nga fillimi i pandemisë përveç rasteve me COVID, gjendje të cilën e ngarkojnë shërbimin emergjent janë gjendjet status post COVID, do të thotë gjendje pasi e kanë kaluar. Rastet e tilla nuk janë të rralla, brenda 24 orëve mund të kemi deri në 10 raste të cilët kanë problem kardiak, problem me mushkri apo probleme metabolike. Në bashkëpunim me klinikat tjera zakonisht këto raste të cilët kërkojnë pas gjendjes së COVID-it janë probleme të cilat tregojnë seriozitet dhe në konsultim me degët përkatëse varësisht nga gjendja pranohen në klinikat gjegjëse”, shprehet ai.

Numri i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim në Klinikën Emergjente, sipas Lenjanit është arsye se pse institucionet e vendit duhet të përfundojnë më shpejtë ndërtesën e re të kësaj Klinike.

Ai potencon se aktualisht në shërbim janë vetëm 19 shtretër, e që sipas tij është një numër shumë i vogël.

“Gatishmëria është brenda njerëzve dhe akterëve që shërbimi emergjent duhet patjetër të avancohet dhe të fuqizohet, të bëhet ngritja e kapaciteteve hapësinore dhe funksionale me qëllim që nëse na paraqitet një situatë e jashtëzakonshme, për shkak se Klinika Emergjente ka mbi 19 mijë e 270 metra katror, kemi 200 vende për hospitalizim, kemi 60 vende për kurim në kujdesin intensiv, me çka në 30 vitet e ardhshme shërbimet emergjente mjekësore do të jenë të përafërta me shërbimet emergjente në nivel te Evropës”, deklaroi ai.

Ai u bënë ftesë edhe institucioneve parësore shëndetësore, që të referojnë rastet vetëm atëherë kur në klinikat e tyre nuk mund të ofrojnë ato shërbime.


(Kosova Sot Online)