Pse duhet pritur me muaj për ta marrë letërnjoftimin në Kosovë?

  • A.P /
  • 10 August 2021 - 17:20
Pse duhet pritur me muaj për ta marrë letërnjoftimin në Kosovë?

Shumë qytetarë janë duke u ballafaquar me problemin e pajisjes me letërnjoftimin e Kosovës. U kanë thënë se duhet të presin deri në tre muaj për të marrë të riun. Përveç banorëve të Kosovës, edhe mërgimtarët nuk kanë mundur t’i marrin letërnjoftimet e reja për arsye se në Qendrat Komunale për Pajisje me Dokumente është duke munguar materiali për shtypjen e letërnjoftimeve të reja

Deri në tre muaj zgjat pritja në Kosovë për t’u pajisur me letërnjoftim të Kosovës, nëse situata nuk ndryshon. Përveç shtetasve rezidentë, me këtë problem u ballafaquan edhe mërgimtarët, të cilët nuk arritën që gjatë kësaj kohe të pajisen me ID të reja identifikuese.

E tëra kjo është duke ndodhur për shkak të mungesës së materialit për prodhimin e tyre

Të paktën kështu po arsyetohen në Qendrat Komunale për Pajisje me Dokumente (QDP), e  ku po thonë se  procesi i marrjes së letërnjoftimit zgjatë deri në tre muaj, pasi që ka mungesë të materialit për prodhimin e tyre.

Në ndërkohë, sipas Ligjit në Kosovë, një qytetar mund të dënohet në rast se nuk e ka me vete letërnjoftimin, që nënkupton dokumentin e identifikimit cili përmban të dhënat personale në formë fizike dhe elektronike, i cili i lëshohet shtetasit të Republikës së Kosovës për të vërtetuar identitetin dhe shtetësinë e bartësit të dokumentit.

Ndërsa, sipas Ligjit për Letërnjoftim, çdo shtetasi është i detyruar të ketë letërnjoftimin me vete, dhe me kërkesën e personit zyrtar të autorizuar me ligj, është i detyruar që t’ia japë letërnjoftimin për identifikim.

Në rast se shtetasit i ka skaduar afati i përdorimit të letërnjoftimi, sipas ligjit duhet që brenda 15 ditësh të aplikojë për pajisje me letërnjoftim me validitet. E po kaq kohë ka edhe organi kompetent për lëshimin e tyre, tek aplikanti.

 Me gjobë prej njëzet (20) € deri nënjëqind (100), dënohet për kundërvajtje shtetasi, i cili nuk e ka letërnjoftimin e vlefshëm, ai i cili me kërkesën e personit zyrtar, të autorizuar me ligj, letërnjoftimin nuk e posedon me vete, ose nuk dëshiron ta jap për identifikim sipas paragrafit 1 të nenit 4 të këtij ligji; dhe ai i  cili letërnjoftimin e tij e jep apo huazon personit tjetër për përdorim ose përdor letërnjoftimin e huaj si të vetin, paragrafit 2 dhe 3 i nenit 4 të këtij ligji;

Lidhur me këtë çështje, nga Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk janë deklaruar.

Teksa të tilla probleme me mungesën e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar.

Ndryshe, më herët, me procedurë të rregullt marrja e letërnjoftimit kushtonte 10 euro, dhe lëshohej për 1-15 ditë, kurse me procedurë të shpejtuar, 10 + 50 euro, kurse lëshohej për 1-72 orë


(Kosova Sot Online)