
Lexoni edhe:
Lista e kandidatëve të LDK-së për kryetar të komunave
As për dy muaj, Kosova nuk ka arritur të vaksinojë deri në 500 mijë qytetarë, ashtu si e sheh plani për vaksinimin në masë. Më pak se 300 mijë persona janë vaksinuar me dozë të parë, që kur ka filluar realizimi i planit për vaksinimin masiv. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në bazë të termineve që janë caktuar për ditët në vijim dhe ritmit që e ka marrë vaksinimi tani, plani do të realizohet.
Që nga 15 qershori kur edhe ka filluar realizimi i planit për vaksinim në masë, janë vaksinuar rreth 275 mijë qytetarë në vend.
Më 16 qershor të këtij viti, numri i vaksinave të administruar në vend ishte 110 mijë e 97.
13 mijë e 149 qytetarë deri atëherë ishin vaksinuar me dy doza të vaksinës.
Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë për numrin e të vaksinuarve deri më 16 qershor.
Lista e kandidatëve të LDK-së për kryetar të komunaveLexoni edhe:
Ndërsa, në statistikat e publikuara sot nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se deri sot në orën 17:00 numri i vaksinave të administruara ka shkuar në 596 mijë e 975.
211 mijë e 781 persona raportohet se janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës.
Mirëpo, në Planin e Veprimit për Vaksinim të Qytetarëve në Masë me Vaksinën Kundër COVID-19është paraparë që brenda një muaji të vaksinohen deri në 500 mijë persona.
Në këtë plan thuhet se vaksinimi në masë do të ndikojë në zvogëlimin e përhapjes së COVID-19.
“Procesi i vaksinimit në masë do të ndikoj në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit dhe kontrollin e pandemisë si dhe funksionalizimin e aktiviteteve shoqërore, që për synim kanë rikthimin në normalitet”, parasheh ky plan.
Deputetë e njohës të shëndetësisë kanë kritikuar disa herë Ministrinë e Shëndetësisë duke thënë se procesi i vaksinimit po shkon shumë ngadalë në vend.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se fillimi ka qenë i vështirë për shkak se në qershor nuk ka pasur doza të mjaftueshme të vaksinave.
Mirëpo, nga kjo ministri kanë thënë se në bazë të termineve që janë caktuar për ditët në vijim plani do të realizohet.
“Plani i vaksinimit në masë kundër COVID-19 ka paraparë administrimin prej 300,000-500,000 dozave në muaj. Normalisht fillimi ka qenë më i vështirë për shkak se në qershor nuk ka pasur doza të mjaftueshme të vaksinave, por pas fillimit të zbatimit të kontratës MSh-Pfizer, ka vaksina te mjaftueshme dhe sipas ritmit të tanishëm të vaksinimit, objektivi i Planit te Veprimit do të arrihet. Janë dhënë afër 600,000 doza (sot pritet të kalohet kjo shifer) dhe në bazë të termineve që janë caktuar për ditët në vijim dhe ritmit që e ka marrë vaksinimi tani, plani do te realizohet”, kanë thënë zëdhënës për informim.
Edhe drejtorë të komunave kanë treguar se së fundmi interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është rritur.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili ka thënë se brenda ditës 1 mijë e 200 vaksina administrohen në këtë komunë.
Ai ka thënë se po vaksinojnë aq qytetarë sa kanë kapacitete.
“Interesimi i qytetarëve është rritur, deri 1 mijë e 200 vaksina jepen brenda ditës. Deri më 25 gusht janë të zëna të gjitha terminet. Aktualisht këto janë kapacitetet. 6 ekipe punojnë para dite 6 pasdite dhe 1 ekip mobil e kemi”, ka thënë ai.
Xhemaili është shprehur se shtimi i rasteve të reja të infektuara me virus dhe paralajmërimi i masave kufizuese për të pavaksinuarit ka ndikuar në rritjen e interesimit për tu vaksinuar.
“Shtimi i rasteve të infektuara e ka rritur interesimin për vaksinim dhe paralajmërimi i masave të reja rreth qasjes në hapësira të caktuara. Edhe apeli i vazhdueshëm i institucioneve ka ndikuar, sidomos për punëtorët arsimor”, ka shtuar ai.
Kujtojmë që numri i rasteve të reja të infektuara me koronavirus ka shënuar rritje ditëve të fundit.
Andaj nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i kanë bërë thirrje qytetarëve që sa më shpejt të vaksinohen kundër COVID-19.
(Kosova Sot Online)