Themelorja konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj asamblistit në Prizren

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 10:50
Themelorja konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj asamblistit në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Edis Aljilji, i akuzuar se si këshilltar i koalicionit VAKAT në Asamblenë Komunale në Prizren nuk e ka deklaruar pasurinë për vitin 2017.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata në fjalë ka refuzuar kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Klodian Krasniqi.

“Gjykata konsideron se provat të cilat i janë bashkëngjitur këtij akti akuzues janë të ligjshme (të nxjerra në harmoni me ligjin), nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë pëenale të pandehurit, nuk ka parashkrim të ndjekjes penale, amnisti apo falje dhe se ka prova të mjaftueshme që e vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, thuhet në vendimin e Themelore.

Tutje, aty thuhet se gjykata konsideron se kjo çështje duhet të kalohet në shqyrtim kryesor.

“Do të vërtetohet se gjendja faktike a është në përputhje me të thënat në aktakuzë, ku do të administrohen provat dhe do të vërtetohet vlefshmëria e tyre”, thuhet në fund të vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Edis Aljilji akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren se nga 1 marsi e deri më 31 mars 2018, në pozitën e këshilltarit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk e bën deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Sipas aktakuzës, ai nuk deklaron pasurinë e tij për periudhën e vitit 2017, edhe pse këtë është dashur ta bëjë deri më 31 mars 2018, përkundër asaj që i njëjti ka qenë i njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Për këtë, Edis Aljilji akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 437, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kryesi i kësaj vepre, sipas kodit, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. 

(Kosova Sot Online)