Apeli lë në fuqi aktakuzën ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së

  • G.G /
  • 22 September 2021 - 14:15
Apeli lë në fuqi aktakuzën ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës  ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Haxha, avokati Ramë Gashi.

Pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, Apeli ka konstatuar se duhet që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Shyqri Haxha, avokatit Ramë Gashi.

Sipas Gjykatës së Apelit aktvendimi i ankimuar nuk përmban asnjë shkelje ligjore të pretenduar dhe procedura penale në këtë çështje penale do të vazhdojë me mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të mbrojtësit të të pandehurit Haxha, avokatit Gashi.

Kundër këtij aktvendimi, avokati Gashi, kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Aktakuza e ngritur më 21 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Shyqri se ka kryer veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari-Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010 PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, me 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)