“Kamerier” i radikalit serb, Vuçiq flet për foton ku “po i sillte birra” Sheshelit

  • G.G /
  • 27 September 2021 - 12:48
“Kamerier” i radikalit serb, Vuçiq flet për foton ku “po i sillte birra” Sheshelit

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, gjatë intervistës së mbrëmshme në TV Pink, ka komentuar edhe fotografinë e famshme ku pretendohet se ai po mban një arkë me birra për Kryetarin e Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel.

Sipas tij, kjo foto është e montuar dhe Shesheli nuk pi kurrë birrë.

“Ajo foto është bërë në Komisionin e Zgjedhjeve, dhe nuk jam duke e bartur birra, por një kuti me nënshkrime për pjesëmarrje në zgjedhje. Ata e kanë montuar thuajse si të vërtetë që unë po mbaj birra për Sheshelin dhe e kanë shpërndarë në tërë rajonin. Shesheli nuk ka pirë birrë asnjëherë”, ka deklaruar Vuçiq.

Prej disa vitesh, një fotografi është shpërndarë në rrjetet sociale ku shihet presidenti aktual i Serbisë duke sjellë një arkë me birra në dhomën ku janë ulur Tomislav Nikoliç dhe Vojislav Sheshel.

Meqenëse Vuçiq dikur ishte anëtar i partisë së Sheshelit, dhe shumë e quajnë produkt politik të tij, fotografia shërbeu si një shaka e mirë anembanë rajonit.

(Kosova Sot Online)