Qytetari nga Mitrovica i bën lutje Qeverisë t’ia falë dënimin për rrymë pasi s’ka kushte ta paguajë

  • A.P /
  • 26 October 2021 - 15:27
Qytetari nga Mitrovica i bën lutje Qeverisë t’ia falë dënimin për rrymë pasi s’ka kushte ta paguajë

Nexhat Ademi është një qytetar nga Mitrovica, i cili mban familjen e tij 5 anëtarëshe përmes asistencës sociale.

Nexhat nuk është i punësuar, dhe thotë se kohë pas kohe angazhohet si punëtor krahu, por nuk ka as punë që të mund të punojë rregullisht.

Me kaq anëtarë në familje e kaq pak të ardhura, ai thotë se nuk po mundet t’i përballojë shpenzimet e obligimeve ndaj shtetit si rryma, uji e mbeturinat.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar Nexhatin me 200 euro për mospagim të rrymës por ai nuk ka mundësi ta paguajë, dhe tash po rrezikon ta vuajë dënimin me burg. Atij i është thënë që deri më 5 nëntor të lajmërohet në Hajvali për vuajtjen e dënimit me burg.

Ai po kërkon zgjidhje nga Qeveria apo kushdo që mund t’i ndihmojë, pasi me të ardhurat e pakta që ka, nuk mund të rrezikojë edhe vuajtjen e dënimit me burg duke lënë familjen e tij 5 anëtarëshe.

Kujtojmë se me një hall të tillë nuk përballen banorët e veriut, kryesisht serbë, faturat e rrymës të të cilëve paguhen nga taksat e pjesës tjetër të qytetarëve.


(Kosova Sot Online)