Thirrje publike drejtuar pushtetit lokal, qendror e gjyqësorit

  • G.G /
  • 27 October 2021 - 10:02
Thirrje publike drejtuar pushtetit lokal, qendror e gjyqësorit

 

Image

Shkruan: Arsim Halili

-Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) është pronë e Komunës së Prishtinës, me kapital publik. Si e tillë, kjo ndërmarrje ka për qëllim menaxhimin e drejtë dhe ruajtjen e pasurisë, e cila në fakt është pasuri e publikut, në këtë rast e qytetarëve të Prishtinës. Përkundër këtij fakti, qytetarët janë të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të privuar nga shprehja e vullnetit të lirë brenda mekanizmave institucional rreth asaj se çka është interes publik për ta. Të paktën, kjo shpërfillje totale ka ndodhur për banorët e Lakrishtës, si nga NPB-ja ashtu edhe nga Komuna e Prishtinës, lidhur me projektin milionësh afaristo-banesor, për të cilin tashmë kanë dalë sheshazi pretendime të bazuara për shkelje ligjore, procedurale e dyshime për manipulime.

Ritheksoj se nuk është mbajtur asnjëherë dëgjim publik me qytetarë, nuk është organizuar qoftë edhe një anketë e thjeshtë a peticion për ta matur vullnetin e tyre sesi të menaxhohet në mënyrën më të drejtë kjo pasuri publike komunale. A kanë nevojë qytetarët e Lakrishtës dhe nxënësit e Gjimnazit “Xhevdet Doda” , që e frekuentojnë çdo ditë këtë zonë, për park, gjelbërim, hapësira rekreative-sportive, shkollë, çerdhe ose kanë nevojë për ngufatje e betonizim me ndërtesa shumë katëshe afaristo-banesore, shkatërrim, degradim e uzurpim të atyre pak hapësirave të mbetura publike.

Për më keq, atë që banorët kurrë nuk ua kishin borxh e që paraqet kulmin e papërgjegjësisë ndaj tyre nga NPB-ja ishte rrezikimi i shëndetit të tyre, nga shkatërrimi pa kontroll i azbestit, që konsiderohet se përmban materie kancerogjene, i cili ka ndodhur tinëzisht, në orën 06:00 të mëngjesit e gjatë fundjavës. E tërë kjo për ta realizuar një projekt të dyshimtë, jotransparent me çdo kusht, sa më shpejtë, në kohë fushate zgjedhore, në përfundim të mandatit qeverisës komunal. Rikujtojmë se ende nuk ka përgjegjësi e as llogaridhënie për këtë skandal mjedisor!

Projekti i Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë, sipas asaj që e ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv, Hajdar Hoxha qëllim në vetvete ka rritjen e pasurisë e përfitimin. Në raste të tilla kur kemi të bëjmë me pronat publike natyrshëm lindin pyetjet. Cilës pasuri?! Të kujt?! Për kë?! Pasurisë private?! Të kompanisë?! Publiku nuk është pyetur rrjedhimisht askush s'ka të drejtë të manipulojë dhe të thirret në emër të tij.

Drejtuesit e ndërmarrjeve publike janë menaxherë të përkohshëm me mandat, paguhen majmë nga taksat e qytetarëve dhe në fund të fundit u obligohen atyre. Duke qenë zyrtarë të lartë publik, misioni i tyre është në shërbim të publikut. Ata duhet t'i japin llogari e përgjegjësi. Ata nuk duhet të sillen si pronar privat të pasurisë publike duke e pasur në mendje vetëm rritjen e profitit, në kurriz të interesit publik.

Asnjeherë nuk arrijë ta kuptoj insistimin e një zyrtari të lartë publik që ka mandat menaxhues të përkohshëm, për rritje të pasurisë si qëllim në vetvete, sidomos jo duke shkelur mbi ligjet, jo pa trasparencë në vendimmarrje e pa llogaridhënie, siç rëndojnë akuzat publike. Fundja pse kjo ngarendje me një risk të tillë kur atë pasuri nuk e trashëgon pas mandatit ose nuk është kështu. Përvoja e deritashme na ka mësuar se prej pasluftës në Kosovë, ndërmarrjet publike, në mungesë të një mekanizmi të duhur kontrolli, janë keqpërdorur e shfrytëzuar si prona private për zhvatje e përfitime personale. Duke pasur parasysh këtë tablo e faktet e dala në shesh, as kjo çështje s'ma do mendja se po bëhet për parime, as për nam e për karierë. Për interes publik jo se jo, sepse nuk ka nisur e tillë. Për më shumë kjo çështje po kundërmon!

- Kërkoj nga Komuna e Prishtinës që ta ndalë këtë projekt e t'i shfuqizoj vendimet e lëshuara me shkelje, jo të hesht!

- Kërkoj nga Ministria e Mjedisit e Qeveria t'i përdorë të gjithë mekanizmat e saj për të ndërhyrë brenda kompetencave të saj për ta ruajtur interesin publik.

- Kërkoj nga Prokuroria të veprojë sa më shpejtë!

Ju siguroj se banorët më shumë se kurrë janë syçelë dhe nuk do të qëndrojnë të heshtur.

Arsim Halili

Një nga banorët e Lakrishtës

Në vijim keni listēn e gjatë të shkeljeve të pretenduara:

- Më 15 shtator 2021 rreth ORËS 06:00 TË MËNGJESIT është shkatërruar pa kontroll me ekskavator materiali kancerogjen i azbestit te ish-objekti i autoshkollës "Instruktori" në Lakrishtë.

- Më 02 tetor 2021, në FUNDJAVË, DITË E SHTUNË, është përsëritur rrënimi, tashmë i kulmeve të azbestit në objektet e NPB-së, disa metra larg gjimnazit “Xhevdet Doda” dhe objekteve të banimit derisa punimet janë ndërprerë po atë ditë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit pas alarmit të dytë të ngritur nga banorët.

- Ekzistojnë pretendime të bazuara se veprimi është bërë me dashje, me paramendim pasi shkatërrimi i këtij materiali që konsiderohet kancerogjen, ka ndodhur dy herë, në termine kohore të pazakonshme për punime, përkundër ndërhyrjes së Policisë gjatë herës së parë.

- Drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha poashtu ka thënë se ishte në dijeni të pranisë së azbestit, por përgjegjësinë kryesore për shkatërrim ia ka hedhur nënkontraktuesit të bashkinvestitorit, Made Group Construction që i ka kryer punimet ndonëse NPB-ja është poseduese e vetme e lejes dhe mbikëqyrëse e zbatimit të projektit, sipas lejes së lëshuar nga Komuna.

- Me këto veprime është rrezikuar shëndeti i banorëve, i nxënësve të kryeqytetit dhe i punëtorëve të cilëve nuk u janë siguruar nga punëdhënësi pajisjet mbrojtëse për largimin e azbestit që llogaritet se ka përmbajtje kancerogjene.

(Kujtojmë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë çdo vit vdesin nga azbesti rreth 90 mijë persona. Dëmi shkaktohet kur kjo materie nuk ç'montohet në mënyrë të kontrolluar por shkatërrohet dhe grimcat e vogla lëshohen në ajr, të cilat thithen dhe në muajt dhe vitet e ardhdhme shkaktojnë kancer në mushkëri)

- Si pasojë e këtyre akteve, për dy ditë është ndërprerë mësimi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” ku gravitojnë nxënësit e kryeqytetit.

- Janë shkelur Ligji për Mbeturinat dhe Udhëzimi Administrativ nr.01/2020 për menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest.

- Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë, përkundër dijenisë së pranisë së azbestit, nuk e ka deklaruar ose e ka fshehur çështjen e deklarimit të azbestit në dokumentacionin aplikues për leje.

- Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Shpend A. Ahmeti përkatësisht drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës e drejtuar nga Ardian Olluri i ka lëshuar tri leje: atë mjedisore, të rrënimit dhe lejën e ndërtimit për NPB-në pa e përmendur fare asbestin dhe domosdoshmërinë ligjore të trajtimit të këtij materiali të rrezikshëm që gjendet në teren.

- Procedura e dhënies së lejes për këtë projekt milionësh është kryer në një kohë relativisht të shkurtër dhe nuk ka pasur transparencë.

- Partia opozitare, VV në Komunën e Prishtinës ka deklaruar se NPB-ja këtë projekt për ndërtim ia ka dhënë njërës prej kompanive private që është regjistruar si biznes vetëm një ditë para se të bëhej shpallja e interesit.

- Sipas këtij subjekti, thirrja për bashkë-investim potencial ka zgjatur vetëm dy ditë prej 10-12 mars 2021 ndërsa afati për pajisje me dosje të tenderit ka qenë vetëm një ditë më 17 mars 2021, gjë që ky subjekt ngre dyshime se operatori ekonomik ka qenë i përzgjedhur para se të hapej thirrja.

- Sipas kësaj partie, në thirrje poashtu nuk është vendosur asnjë kriter, as termat e referencës as kushtet e ndërtimit.

- Në lejen e lëshuar, më 16.08.2021 nga Komuna e Prishtinës për Ndërmarrjen Publike Banesore, nuk figuron fare si hisedare kompania private, Made Group Constuction që ka shumicën e hises, 64 përqind në projekt dhe që është e definuar me akt noterial para se të aplikohej për leje ndërtimi.

- Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu në një konferencë për medie ka bërë të ditur se në bazë të dokumentacioneve që i posedon ministria, në elaboratin mjedisor që i ka paraprirë dhënies së lejes mjedisore mungon nënshkrimi dhe emri i autorit të këtij elaborati.

- Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë akuzohet nga Ministria e Mjedisit se përmes një akti noterial, ia ka dhënë pronën e paluajtshme publike në shfrytëzim të PËRHERSHËM kompanisë private Made Group Construction me qëllim të ndërtimit të objektit banesor afarist në Lakrishtë. Sipas ministrisë, shfrytëzim të përhershëm nuk njeh Ligji nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës por parashihet vetëm shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë maksimumi deri në 99 vjet.

- Ministria e Mjedisit ka akuzuar Bordin e NPB-së në përbërje prej (Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva), se kundërligjshëm ka hartuar rregullore për vetën që pronën e NPB-së me e dhënë me përqindje te një kompani private ndërsa më pas, sipas tij, është ndryshu statuti i ndërmarrjes për me iu përshtat rregullores së re.

- Janë ngritur pretendime se Bordi i AKP-së nuk ka dhënë autorizim për përcaktimin e kufirit mes një prone të menaxhuar prej saj dhe pronës së NPB-së.

- Pas akuzave publike, më 14 tetor 2021 Bordi unanimisht ka marr vendim për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxha për arsyet: "Neglizhenca e kryeshefit ekzekutiv për përcjellje dhe zbatim të projektit në Lakrishtë në përputhje me rregulloret dhe ligjet në fuqi, mosgatishmëria e kryeshefit ekzekutiv për bashkëpunim dhe transparencë ndaj Bordit të drejtorëve, mosllogaridhënie dhe mosinformim"

- Vendimi për shkarkim nuk ka arritur të fuqizohej pasi anëtarët e Bordit kanë deklaruar se kryeshefi, Hajdar Hoxha dhe vartësit e tij e kanë pamundësuar protokollimin e vendimit.

- Dren Kukaj, Genc Sherifi janë dy nga tre anëtarët e Komisionit të aksionarëve të zgjedhur nga kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, të cilët akuzohen poashtu se e kanë penguar Bordin e Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë, për ta shkarkuar, kryeshefin ekzekutiv, Hajdar Hoxha.

- Si revansh, këta aksionarë kanë shkarkuar dy (Bekim Pireva dhe Arbnora Jashanica) nga gjithsej katër anëtarët e Bordit ndonëse të gjithë kishin votuar njëzëri për shkarkimin e Hoxhës, edhepse vendimi nuk kishte arritur të protokollohej.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".