
Thumbat e Vitisë dhe Ramës, polemika në mes të kandidatëve për kryetar të Prishtinës

Arben Vitia e përqesh, Përparim Rama i kërkon të bëhet serioz dhe mos t’ia kopjojë projektet.
Rrallë del në intervista.
E atëherë kur del, zakonisht reflekton seriozitet.
Por, gara për kryetar të Prishtinës duket se nxori një anë tjetër të Arben Vitisë.
Me shumë sesa ta shpreh sensin e tij të humorit, Vitia duket se kishte një qëllim më domethënës.
Përpjekja e tij ishte ta thumbonte kundërkandidatin Përparim Rama, duke u tallur me deklaratat e premtimet e tij për projektin rreth liqenit artificial.
Por, nuk shkoi shumë e Rama iu përgjigj kundërkandidatit të tij, ani pse jo në të njëjtën mënyrë.
Në një konferencë për media, këtë të mërkurë, Rama ka prezantuar edhe projektin e tij që ndërlidh lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë, deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.
E në këtë rast u përkujdes t’i lëshonte thumbat ndaj Vitisë, duke ia rikujtuar një akuzë të mëhershme se ky i fundit ia ka kopjuar projektin për Prishtinën.
Komuna e Prishtinë ka shkuar në balotazh, i cili do të zhvillohet mes Vitisë dhe Ramës të dielën.
Raundi i dytë i kësaj gare do të mbahet me 14 Nëntor, 4 javë pas raundit të parë.
(Kosova Sot Online)