Ja çka kapi policia në aksionin e madh që pati dje nëpër Kosovë

  • G.G /
  • 12 November 2021 - 10:37
Ja çka kapi policia në aksionin e madh që pati dje nëpër Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: B.B., S.H., M.S., S.S., D.M., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 10.11.2021, pas ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri me inicialet M.S., me shpejtësi, me veturën e tij është nisur nga vendi i ndaljes në mënyrë që t’i shmanget arrestimit të tij, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policor, me ç’ rast është arritur të arrestohet në fshatin Doberllukë dhe i njëjti ka sulmuar fizikisht zyrtarët policor.

Me këtë rast gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tij janë gjetur 18 paketime të mbushura me marihuanë, me peshë prej 19 kg e 702.1 gr.

“I pandehuri dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, të parapara sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, për të pandehurin B.B., prokuroria ka kërkuar paraburgim për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe për të pandehurit S.H., S.S., dhe D.S., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të parapara sipas KPRK-së.

(Kosova Sot Online)