Dalin shkelje të reja për skandalin e Lakrishtes

  • G.G /
  • 23 November 2021 - 14:34
Dalin shkelje të reja për skandalin e Lakrishtes

Janë publikuar shkelje të reja për skandalin e Lakrishtës.

Gazetari Arsim Halili ka postuar në rrjetet sociale dëshmi se si  Ndërmarrja Publike Banesore shkeli ligjin e prokurimit publik, duke angazhuar kompani për rrënim pa procedra të prokurimit dhe pa tender.

Shkrimi i plotë:

Ndriçohen shkelje tjera rreth skandalit të shkatërrimit të azbestit kancerogjen në kuadër të projektit të dyshimtë afaristo- banesor në Lakrishtë

 NPB-ja SHPËRFILLI LIGJIN E PROKURIMIT PUBLIK - ANGAZHOI KOMPANI PËR RRËNIM PA PROCEDURA TË PROKURIMIT DHE PA TENDER

Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë (NPB) ishte poseduese e vetme e lejes së lëshuar nga Komuna e Prishtinës, më 06 gusht 2021, për rrënimin e objekteve të vjetra në Lakrishtë ku u shkaktua skandali i shkatërrimit pa kontroll të azbestit kancerogjen. (Prova 1- Leja e rrënimit)

Përkundër se ishte ligjërisht përgjegjëse e vetme për rrënim, NPB-ja, pa zhvilluar fare procedura të prokurimit dhe pa hapur tender, ia la këtë përgjegjësi bashkinvestitorit privat “Made Group Construction” e ky i fundit angazhoi një palë të tretë si nënkontraktor për rrënim, përkatësisht kompaninë “Joos & Krasniqi” që njëherësh e kishte konkurrent në tender.

Mungesa e procedurave të prokurimit dëshmohet në bazë të sistemit të prokurimit elektronik të Kosovës ku nuk figuron asnjë aktivitet i NPB-së për këtë çështje.

Në këtë mënyrë, NPB-ja si ndërmarrje publike pamundësoi konkurrencën duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe legjislacionin sekondar.

Akti nënligjor “Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik” në paragrafin Njoftim për Kontratë, specifikon si në vijim:

- Kur një AK - Autoritet Kontraktues (në këtë rast NPB-ja) ka për qëllim të kryej një aktivitet të prokurimit duke përdorur procedurë të hapur, të kufizuar, kuotim të çmimit, konkurruese me negociata ose ka për qëllim të administroj një konkurs të projektimit ZP (Zyrtari i Prokurimit) do të përgatitë Njoftimin për Kontratë/Njoftimin për Konkurs të Projektimit, pavarësisht nga lloji apo vlera e parashikuar.

- AK duhet të publikojnë të gjitha njoftimet për kontratë në sistemin e prokurimit elektronik të Kosovës. Për arsye të rritjes së transparencës, AK-se mund të publikojnë Njoftimet për Kontratë në faqen e internetit të AK gjithashtu.

- Njoftimi për kontratë për kontrata me vlerë të vogël dhe të mesme do të përgatitet në gjuhën Shqipe dhe Serbe, ndërsa për kontrata me vlerë të madhe njoftimi për kontratë do të përgatitet në versionet Shqip, Serbisht dhe Anglisht.

- Njoftimi për kontratë dhe përmbajtja do të mbesin sekrete, deri në publikim, pasi që të gjithë OE (Operatorët Ekonomikë) do të kenë informatat në të njëjtën kohë.

Sipas Ligjit për Prokurim Publik, Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara të lidhjes së kontratës pa publikimin e njoftimit të kontratës, por në raste të tilla obligohet të njoftojë mbi vendimin për përzgjedhje të Operatorit Ekonomik që ka negociuar me të dhe ka arritur marrëveshje, gjë që as për këtë procedurë nuk ka dëshmi të publikuara në sistemin elektronik, para fillimit të punimeve.

 Sipas Aktit nënligjor “Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik” edhe angazhimi i nënkontraktorëve do të duhej të ishte i rregulluar paraprakisht përmes tenderit, i cili në këtë rast nuk është hapur fare nga NPB-ja. Sipas ligjit, nënkontraktori para se të përzgjedhej do të duhej t`i përmbushte kërkesat e përshtatshmërisë te NPB-ja, gjë që nuk ka ndodhur.

Neni 18 paragrafi 18.11 thekson se “Autoriteti Kontraktues (në këtë rast NPB) do të deklaron gjithashtu në Dosjen e Tenderit që Operatorët ekonomikë duhet të tregojnë në tenderin e tyre çdo pjesë të kontratës që Operatori Ekonomik ka për qëllim të nënkontraktoj të palët e treta dhe secilin nënkontraktues të propozuar. Secili nën-kontraktor i propozuar duhet të përmbush kërkesat e përshtatshmërisë dhe duhet të dorëzoj dëshmitë mbi përmbushjen e kërkesave të përshtatshmërisë”

“Tenderuesi duhet të dorëzoj dëshmi në lidhje me përmbushjen e përshtatshmërisë së nënkontraktuesit për pjesëmarrje në procedurën e tenderit siç kërkohet në Nenin 65 të LPP-se. Operatori ekonomik duhet të njoftoj autoritetin kontraktues për çdo ndryshim në plane të nën-kontraktimit që ndodhin pas dorëzimit të tenderit. Autoriteti kontraktues mund të refuzoj çdo nënkontraktues të propozuar nëse i njëjti nuk i përmbush kushtet e përshtatshmërisë”.

Zyra për Informim e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe kryeshefi ekzekutiv, Hajdar Hoxha, që prej dy javësh (10 nëntor 2021), nuk janë përgjigjur për këtë çështje. (Prova- Pyetjet e dërguara me email)

I kontaktuar përmes telefonit në dy ditë të ndara, kryeshefi i NPB-së, Hajdar Hoxha ka kërkuar që t`i drejtohemi zyrës për informim, por as kjo zyrë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e drejtuara përmes e-mailit e as nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

Kujtojmë se Inspektorati nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte pezulluar punimet pas skandalit mjedisor të shkatërrimit pa kontroll, me ekskavator të materialit kancerogjen të azbestit që ka rrezikuar shëndetin e banorëve të Lakrishte Lagje. Më 15 tetor 2021, Drejtoria e Urbanizmit nga Komuna e Prishtinës e ka shfuqizuar vendimin që ia kishte lëshuar më 06 gusht 2021, Ndërmarrjes Publike Banesore për rrënimin e objekteve të vjetra në Lakërishtë. Vendimi për shfuqizim është marr me urdhër të Drejtorisë së Inspeksionit me arsyetimin se NPB-ja në dokumentacionin aplikues nuk e ka cekur askund se ndërtesat e vjetra janë të mbuluara me material azbesti.

(Kosova Sot Online)