I akuzuari pranon fajësinë për aksidentin e shkaktuar në rrugën Gjilan-Ferizaj ku vdiqën dy vëllezërit e tij

  • A.P /
  • 24 November 2021 - 16:39
I akuzuari pranon fajësinë për aksidentin e shkaktuar në rrugën Gjilan-Ferizaj ku vdiqën dy vëllezërit e tij

I akuzuari Jeton Ibrahimi e ka pranuar fajësinë se shkaku i pakujdesisë kishte shkaktuar aksident ku vdiqën dy vëllezërit e tij Sh.I. dhe F.I, dhe u lënduan N.A dhe E.S. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Budrikë e Epërme të Vitisë, në tetor të vitit 2019.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Halim Borovci, i akuzuari Ibrahimi  tha se aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas konsultimeve të mjaftueshme me avokatin tim, e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Halim Borovci nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Ai gjithashtu i propozoi gjykatës që t’ia shqiptojë edhe dënimin plotësues, të propozuar në aktakuzë ndalimin e drejtimit të automjetit.

Ndërsa i dëmtuari përkatësisht D.I, baba i të ndjerëve Sh.I dhe F.I, deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë dhe se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale. Mirëpo, tha se kërkesë pasurore juridike do të parashtrojë në kompaninë përkatëse.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Ibrahimi, avokati Burim Islami deklaroi se e mbështetë pranimin e fajësisë, duke i propozuar gjykatës që konform nenit 78 paragrafi 1 pika 1.1 të KPRK-së, që të akuzuarin ta shpallë fajtor për veprën e kryer nga pakujdesia por në të njëjtën kohë ta liroj nga dënimi.

 “Mbrojtja kërkon nga gjykata që të veproj konform nenit 78 parag 1,1.1 të KPRK- së, ashtu që i pandehuri të shpallet fajtor për vepren penale të kryer nga pakujdesia mirëpo në të njëjtën  kohë të lirohet nga dënimi, duke qenë se i mbrojturi im është i vetmi djalë i mbetur i cili kujdeset për prindërit e tij”, tha avokati Islami.

Avokati Islami po ashtu ka kërkuar nga gjykata që të refuzoj propozimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues, ngase sipas tij, një masë e tillë do të krijoj pasoja të mëdha ekonomike jo vetem për të akuzuarin por edhe tërë familjen, pasi që është i vetmi person që posedon leje të vozitjes.

Gjykatësja Drane Simani, pasi aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari, njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 26 nëntor  2021, në ora 09:15.

Aktakuza e ngritur në nëntor të 2019-tës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ngarkon të akuzuarin Jeton Ibrahimi, se ka kryer veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”.

Sipas aktakuzës, në tetor të 2019, rreth orës 22:40, në rrugën Gjilan-Ferizaj, në fshatin Budrike e Epërme, deri sa drejtonte automjetin e markës BMW 530 D, ngjyre hiri metalike,me targa 06-513-DM, nga pakujdesia shkel Ligjin për Rrëgullat e Trafikut Rrugor nga neni 48 dhe neni 53 paragrafi 1, respektivisht duke qenë se i pandehuri nuk e përshtat shpejtësinë dhe kushtet e rrugës.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri me të arritur tek kthesa në të majtë humb kontrollin mbi automjetin dhe ashtu duke rrëshqitur kalon në shiritin e kundërt të qarkullimit dhe me pjesën e djathtë të mesit të dyerve të automjetit të tij godet automjetin “Seat Leon”, me targa  BU019-dz, në pjesën e përparme të tij,  të cilën e drejtonte E.S i cili në momentin kritik ishte duke lëvizur nga Kllokoti në drejtim të Gjilanit, më ç’ rast rezulton me vdekjen e dy personave SH.I.  dhe F.I, të cilët ishin pasagjerë në veturën e të pandehurit si dhe  lëndime trupore pësojn N.A dhe E.S, të cilët për shkak të lëndimeve detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit-Qendra Emergjente.

Me këtë i akuzuari po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9, në lidhje më paragrafin 6 e 1 të Kodit Penal, është e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. 

(Kosova Sot Online)