Asambleja e Republika Sërpska diskuton ‘transferimin’ e kompetencave shtetërore

  • E.K /
  • 10 December 2021 - 14:24
Asambleja e Republika Sërpska diskuton ‘transferimin’ e kompetencave shtetërore

Asambleja Popullore e Republikës Sërpska (RS), organ ky legjislativ, ombrellë e këtij entiteti në Bosnjë e Hercegovinë, sot (10 dhjetor) është duke e diskutuar “transferimin e kompetencave nga Bosnjë e Hercegovina në nivelin e Republikës Sërpska”, në fushën e taksave indirekte, drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë.

Në rend të ditës është edhe Deklarata mbi parimet kushtetuese të Republikës Sërpska, e cila udhëzon institucionet e këtij entiteti që të hartojnë një kushtetutë, sipas së cilës Banja Lluka do të ishte kryeqyteti i entitetit, ndërkaq Palle, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.

Deklarata saktëson se “të gjitha ligjet e vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë, janë antikushtetuese”. Pas dokumenteve të propozuara qëndrojnë presidenti i Republikës Sërpska, kryeministri i këtij entiteti, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe shumica parlamentare e kryesuar nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.

Në Seancën e Asamblesë, Dodik tha se pas përfundimit të debatit, populli do të vendosë me referendum për Kushtetutën e re të Republikës Sërpska.

“Bosnjë e Hercegovina po lëviz në një drejtim, për të cilin nuk kemi rënë dakord që nga përfundimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Ne kemi një ndjenjë se Bosnjë e Hercegovina po shkon në drejtim të gabuar. Një nga një, kompetencat po ndryshojnë në favor të Bosnjë e Hercegovinës, pa u penduar askush për këtë”, tha Dodik.

Ai shtoi se në Republikën Sërpska ka nisur rishikimi i transferimit të kompetencave në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që të shihet se a mundet “të justifikohet numri i institucioneve të shtrenjta të Bosnjë e Hercegovinës dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të administratës në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës”.

Bartjen e disa prej përgjegjësive, të cilat sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Sërpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar Dodiku, pasi që në Bosnje me ligj u ndalua mohimi i gjenocidit.

Politikanët nga Republika Sërpska e kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.

Çka parashohin konkluzionet që pritet të votohen?

Disa prej konkluzioneve që janë propozuar të votohen nga deputetët e Asamblesë të Republikës Sërpska, parashohin tërheqjen e pajtimin për konkluzionet e Asamblesë Popullore të Republikës Sërpska të vitit 2004, të cilat e kishin autorizuar Qeverinë e këtij entiteti për nënshkrimin e marrëveshjes për transferimin e disa përgjegjësive të subjekteve përmes krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës.

Asambleja udhëzon Qeverinë e Republikës Sërpska të dërgojë Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së në Asamble për shqyrtim dhe miratim brenda gjashtë muajve.

Ligji për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës nuk do të zbatohet në territorin e RS-së nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska.

Konkluzionet në lidhje me informacionin për transferimin e kompetencave nga Republika Sërpska në nivelin e BeH në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, thanë që Asambleja e Republikës Sërpska e udhëzon Qeverinë e Republika Serpska të tërheqë pëlqimin e saj, të vitit 2005, për marrëveshjen për transferimin e kompetencave në fushën e mbrojtjes tek institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, të nënshkruar me Qeverinë e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.

Gjithashtu thuhet që në afat prej gjashtë muaj duhet të dërgohen për shqyrtim dhe miratim në Asambleja Popullore të Republikës Sërpska ligjet e fushës së mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ligji për mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës, Ligji për shërbimin në Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, Ligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe Ligji për Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës nuk do të zbatohen në territorin e Republikës Srpska, ligjet e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në konkluzion.

Asambleja Popullore e Republikës Sërpska e udhëzon Qeverinë e këtij entiteti që brenda gjashtë muajve t’i dërgojë për shqyrtim dhe miratim në këtë kuvend ligjet dhe rregulloret e tjera që do të mundësojnë funksionimin e qetë të Republikës Sërpska.

“Ligjet dhe rregulloret e tjera që transferojnë kompetencat nga Republika Sërpska tek institucionet e Bosnjë e Hercegovinës nuk do të zbatohen në territorin e Republikës Sërpska nga dita e hyrjes në fuqi të ligjeve dhe rregulloreve të tjera”, thuhet në konkluzion.

Ambasada e SHBA-së në BeH: Të gjithë do të ndiejnë pasojat e cenimit të Marrëveshjes së Dejtonit e SHBA-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do të mbështesin aktivitetet e njëanshme që janë jashtë rendit kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe që minojnë funksionalitetin në nivel shtetëror. Kështu thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë për Radion Evropa e Lirë, lidhur me atë se çfarë mekanizmash ka SHBA-ja kur bëhet fjalë për kushtëzimin e mbështetjes financiare, në rast të shkeljes së Marrëveshjes kornizë të paqes.

“Kërcënimet ndaj aktiviteteve të tilla tashmë po dëmtojnë klimën e investimeve dhe nëse zbatohen, do të komplikojnë më tej sektorin tashmë kompleks të biznesit, duke e larguar më tej Bosnjë e Hercegovinën nga katër liritë në Bashkimin Evropian, që janë kyçe për prosperitetin e saj të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.

Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, më 8 dhjetor, pas një sesioni dyditor të Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë se anëtarët e këtij bordi ishin “të përkushtuar ndaj të gjitha masave të nevojshme”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Organizata e Konferencës Islamike, e udhëhequr nga Turqia, njoftuan kushtëzimin e mundshëm të mbështetjes financiare, si dhe sanksionet.

Ambasada e SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë tha se ky vend, si anëtar i Këshillit për zbatimin e paqes, vë në dukje komunikatën e Këshillit për Zbatimin e Paqes të datës 8 dhjetor, duke përfshirë mesazhin se “Bosnjë e Hercegovina rrezikon pasoja të rënda për buxhetet e qeverive, qasjen në fonde dhe projekteve për ndihma të huaja, për shkak të veprimtarisë destabilizuese politike”.

“Të gjithë në Bosnjë e Hercegovinë do të ndiejnë pasojat e veprimeve të cilësdo palë që synojnë të minojnë Marrëveshjen e paqes së Dejtonit. SHBA-ja do të vazhdojë të konsultohet me anëtarët e bordit të tyre në institucionet financiare ndërkombëtare që i mbështesim, që të sigurojmë që ndihma dhe financimi të mbështesin zhvillimin dhe të mos e minojnë Marrëveshjen e paqes së Dejtonit”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.

Gjithashtu theksohet se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe se janë “këtu për të mbështetur të gjithë qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, të cilët duan të ndërtojnë një të ardhme të pangarkuar me korrupsion dhe ndarje”.

“Për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së standardeve të përshtatshme, Bosnjë e Hercegovina po dështon të shfrytëzojë potencialin e madh ekonomik të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në vend të përpjekjeve që të kthejnë Bosnjë e Hercegovinën në të kaluarën, është detyrë e politikanëve të marrin pjesë në punën e vështirë të qeverisjes dhe të zbatojnë reforma kuptimplota që do t’u japin shpresë të gjithë qytetarëve”, është shtuar në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë për Radion Evropa e Lirë.

Paralajmërimit të anëtarëve të Këshillit të PIC-it iu bashkua Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), përfaqësuesi i të cilit theksoi se “tërheqja e entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska nga Autoriteti i taksave indirekte të Bosnjë e Hercegovinës, do të shkaktonte pasoja të mëdha ekonomike”.

Më 20 tetor 2021, Parlamenti i RS-së miratoi ligjin për ilaçet dhe mjetet medicinale që parasheh themelimin e agjencisë së entitetit për ilaçe, e cila që nga viti 2009 vepron në nivel shtetëror.

Themelimi i agjencisë së këtillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e BeH-së, pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilin është definuar që entitetet nuk mund të marrin përgjegjësi të shtetit ose përgjegjësitë që janë në përputhje me Kushtetutë të bartura në nivel të shtetit.

Zhelka Cvijanoviq, presidente e RS-së, në tetor solli vendimin sipas të cilit për këtë entitet nuk vlejnë ndryshimet e Kodit Penal të BeH-së, me të cilin dënohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera.

Në ndërkohë, Dodik paralajmëroi edhe bartjen e përgjegjësive kur bëhet fjalë për Forcat e Armatosura të BeH-së, Gjykatës Supreme dhe Këshillin Prokurorial si dhe Administratën për Tatim të BeH-së.

Planet e Dodikut për “ligjin e ri për ushtrinë e RS-së”

Më 7 dhjetor, Dodik paralajmëroi se tashmë është përpiluar edhe “ligji i ri për ushtrinë e Republikës Sërpska dhe ligji për demilitarizim” nëse nuk do të ketë gatishmëri që të pranohet propozimi për “përgjysmimin e Forcave të Armatosura të BeH-së”.

“Nga Forcat e Armatosura të BeH-së nuk kemi asgjë, serbët atje nuk shkojnë, mungojnë 40 për qind e kroatëve e myslimanët duan që të plotësojnë kuotat. Buxheti i Bosnje e Hercegovinës ndahet më së shumti për Forcat e Armatosura dhe është rreth 1,879,378 euro (370 milionë marka konvertibile) e që thënë sinqerisht nuk është kurrfarë ushtrie, por vetëm shpenzues i madh”, tha Dodik gjatë qëndrimit në Beograd.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata e BeH nuk munden individualisht të bartin përgjegjësitë të cilat në periudhën e shkuar u bartën ndaj shtetit.

(Kosova Sot Online)