
Iu gjetën 0.21 gram kokainë, i riu dënohet me 3 muaj burgim me kusht

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë, A.E, pasi pranoi se kishte poseduar 0.21 gram kokainë.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të martën nga gjykatësja Edita Çanta, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim me kusht nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i akuzuari, nuk kryen vepër tjetër penale.
Po ashtu, i akuzuari obligohet që dënimin më gjobë, në shumën prej 200 euro, ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I njëjti obligohet edhe për pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 20 euro dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
“Unë e pranoj këtë vepër penale dhe e ndjej veten plotësisht fajtor”, tha i akuzuari.
Tutje i njëjti i ka premtuar gjykatës se nuk do të përsëris më vepra penale dhe se në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë në moshë të re dhe tha se që nga ajo kohë nuk ka përdorur më narkotik,
I akuzuari e luti gjykatën që t’i shqiptojë një dënim më të butë.
Pas deklarimit të akuzuarit, prokurori Kodraliu u pajtua me pranimin e fajësisë dhe i propozoi gjykatës që këtë pranim t’ia marrë si rrethanë lehtësuese.
Më pas, pranimi i fajësisë u aprovua edhe nga ana e gjykatëses Çanta.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të 2019-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, A.E. akuzohej për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas aktit akuzues, në shtator të 2019-ës, në rrugën “Rinia” në Prishtinë, të akuzuarit E. në një nga diskotekat” i është gjetur substancë narkotike pluhur me ngjyrë të bardhë e llojit kokainë me peshë prej 0.21 gram, të cilën e ka poseduar pa autorizim.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropike ose analoge” nga neni 269, paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim prej një deri në tri vite.
(Kosova Sot Online)