Hisen Berisha e quan kryemashtrues Kurtin për statusin e veteranit, i reagojnë deputetët e VV-së

  • A.P /
  • 14 December 2021 - 18:34
Hisen Berisha e quan kryemashtrues Kurtin për statusin e veteranit, i reagojnë deputetët e VV-së

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha e ka quajtur kryemashtrues kryeministrin Kurti për statusin e veteranit të UÇK-së. Berisha ka pyetur se sipas Ligjit për Veteranët, a ka qenë kryeministri Kurti i armatosur apo i mobilizuar në shtabe të zonave pasi gëzon statusin e veteranit luftëtar.

“Është turp të përdoret termi veteran mashtrues, në krye të listës së veteranëve mashtrues qëndron kryeministri Albin Kurti. Sipas Ligjit, veteran luftëtar i UÇK-së është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe që është regjistuar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komanda dhe shtabet e UÇK-së që ka qenë aktiv deri në përfundim të luftës.Në kontekst të kësaj, Albin Kurti i sistemuar në njësitë e ndryshme vartëse të UÇK-së, numri rendor 19, numri i APP-së 047406, veteran luftëtar. Në përkufizimin që e lexova në bazë të ligjit, a ka qenë i mobilizuar në ndonjë shtab zone kryeministri Kurti, më thoni a ka pasur kryeministri Kurti uniformë në trup, a ka pasur kryeministri Kurti armë”, ka thënë Berisha.

Pas kësaj kanë reaguar deputetët e VV-së teksa Berisha i nervozuar ka thënë që të kenë kujdes kur flasin për veteranët.

“Gjithkushi po e merr fjalën për me folë për veteranët mashtrues, nëse ka mashtrues, kryemashtruesi është kryeministri Kurti. Bëni kujdes në fjalë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)