BE kërkon hetim kundër komisionerit Varhelyi

  • A.P /
  • 14 January 2022 - 20:06
BE kërkon hetim kundër komisionerit Varhelyi

Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i është kërkuar të hetojë rolin e dyshuar të një zyrtari të BE-së në ndihmën për përshkallëzimin separatist të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, në një letër drejtuar von Der Leyen të lëshuar të mërkurën, anëtarët e Parlamentit Evropian (PE) shkruan se një dokument i zbuluar sugjeron që komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi “haptas ka bashkëpunuar [me Dodik] për të shpërbërë potencialisht Bosnjën dhe Hercegovinën”.

“Raporti vëren se komisioneri Varhelyi ‘u pajtua’ me z. Dodik në lidhje me datën e një sesioni të posaçëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska dhe se do të shpallej një moratorium 6-mujor për të miratuar legjislacionin mbi tërheqjen e njëanshme nga institucionet shtetërore”, thuhej në letër, shkruan Al Jazeera.

Ndryshe, Bosnja aktualisht po përballet me krizën e saj më të madhe politike dhe të sigurisë që nga përfundimi i luftës në dhjetor 1995, kur u nënshkrua marrëveshja e paqes e Dejtonit.

Marrëveshjet e ndanë vendin në dy entitete gjysmë autonome – entitetin e Federatës së dominuar nga boshnjakët dhe kroatët dhe entiteti Republika Srpska e drejtuar nga serbët.

“… Nëse paanshmëria dhe neutraliteti i Komisionit vihet në pikëpyetje, ekuilibri i brishtë gjeopolitik kërcënohet menjëherë”.

Në tetor, Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës bëri thirrje që Republika Srpska të tërhiqet nga institucionet kryesore shtetërore dhe të krijojë institucionet e saj parashtetërore, duke shkelur traktatin e paqes dhe kushtetutën.

Christian Schmidt, përfaqësuesi i lartë i Bosnjës, i ka quajtur lëvizjet e Dodik “të barabarta me shkëputjen”, duke paralajmëruar se ato mund të nxisin ndarje dhe konflikte të mëtejshme.

Ndërkohë vë në pah Al Jazeera, më 10 dhjetor, parlamenti i Republika Srpska miratoi një sërë ligjesh që i mundësojnë entitetit të formojë institucionet e veta dhe ushtrinë e vet deri në maj.

Pas publikimit të lajmeve për dokumentin e zbuluar të Sattler më 21 dhjetor, këshilltari i Dodik, Radovan Kovaçeviq mohoi përfshirjen e Varhelyi në planifikimin e seancës së asamblesë së Republikës Srpska.

Letra e nënshkruar nga 30 deputetë theksonte se “si një palë neutrale me ndikim të konsiderueshëm”, Komisioni ka një rol kyç në sigurimin e respektimit të marrëveshjes së paqes të Dejtonit nga të dyja palët.

Ai pyeti von der Leyen nëse Komisioni e konsideron sjelljen e Varhelyi të jetë në përputhje me rolin e tij dhe me politikën zyrtare të BE-së ndaj Bosnjës.

“Cili është qëndrimi i Komisionit në lidhje me integritetin territorial të Bosnjës dhe si planifikon Komisioni të sigurojë që konkluzionet e Marrëveshjes së Dejtonit – nënshkruese e së cilës është BE-ja – të mos shkelen?”, pyeti letra.

(Kosova Sot Online)