Kosova nuk e lejoi referendumin, SHBA paralajmëron bisedime për ta gjetur modelin e votimit

  • A.P /
  • 20 January 2022 - 18:20
Kosova nuk e lejoi referendumin, SHBA paralajmëron bisedime për ta gjetur modelin e votimit

Diplomati amerikan, Michael Carpenter, i cili shërben si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në një deklaratë për referendumin e Serbisë që s’u lejua të mbahet në Kosovë, ka paralajmëruar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë për ta gjetur një model se si do të mund të votonin serbët në Kosovë për zgjedhjet në Serbi, që do të mbahen më 3 prill.

Në deklaratën e Carpenter të dorëzuar në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, thuhet se presin të diskutojnë me Qeverinë e Kosovës dhe me atë të Serbisë.

“Mezi presim të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime dhe akomodime mund të bëhen për të siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre, dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje ta përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.

Tutje, shprehet një keqardhje për faktin që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe të mund të flasë vetë.

“Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë”, thuhet në deklaratën e Carpenter.

(Kosova Sot Online)