Abdixhiku: Qeveria s’po pyet se a mund ta përballojnë qytetarët shtrenjtimin e rrymës

  • G.G /
  • 24 janar 2022 - 17:03
Abdixhiku: Qeveria s’po pyet se a mund ta përballojnë qytetarët shtrenjtimin e rrymës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria po frikësohet për t’u përballur me krizën energjetike dhe situatën kur Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar shtrenjtim të rrymës.

Abdixhiku tha se për shkak se sipas tij, Qeveria po refuzon të merret me këtë çështje, opozita e ka thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme.

“Kjo seancë e jashtëzakonshme është rrjedhojë e refuzimit të pashpjegueshme të pushtetit për ta trajtuar temën më të rëndësishme të tanishme.

Abdixhiku tha se lidhur me rritjen e çmimit të rrymës, Qeveria po flet nga perspektiva e pushtetit dhe jo nga persepktiva e familjarëve, të cilët, siç tha ai, do të goditen rëndë pas shtatë ditësh, raporton Gazeta Express.

“Në paraqitjet e deritanishme të Qeverisë, pyetja se a mund të përballohet e paguhet ky çmim nuk zë vend fare. Zë vend pyetja ku t’i gjej paratë shteti. Pra, nuk flitet nga perspektiva e familjarëve, që shtatë ditë nga sot do të goditen rëndë – më së rëndi në rajon e më gjerë – por flitet nga perspektiva e karriges së pushtetit, si brengë e një njeriu të vetëm – e kryeministrit, se ku t’i marrë paratë shteti”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se këtë pyetje kryeministri “është dashur t’ia bëjë vetës në tetor”.

Në fund, ai tha se Qeveria duhet ta refuzojë propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës, sepse ai nuk merr përsipër përballimin nga qytetarët.

(Kosova Sot Online)