Kapërcimi i madh i ministres Hajdari, emëron kundërligjshëm U.D. e kryeshefit të KIESA-s

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 20:08
Kapërcimi i madh i ministres Hajdari, emëron kundërligjshëm U.D. e kryeshefit të KIESA-s

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka emëruar kundërligjshëm në pozitën e ushtruesit të detyrës të kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve (KIESA), Zef Dedajn.

Ministrja Hajdari ka anashkaluar të gjithë stafin e këtij Agjencioni për ta vënë në krye Dedajn. Veç kësaj Dedaj mban pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Politika Tregtare në Departamentin e Tregtisë ndërsa Ligji e specifikon se një emërim i tillë mund të bëhet nëse një zyrtar ka koeficientin 10, që i bie nëse është drejtor Departamenti, por jo Udhëheqës Divizioni, si në rastin e Dedajt që është 9 me koeficient.

Hajdari në këtë rast ka bërë shkelje të dyfishtë të Ligjit, shkruan Demokracia.com.

Emërimi i tij ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha nga stafi i KIESA-s.

Burime të Demokracia.com thonë se i gjithë stafi i këtij agjencioni e ka kundërshtuar emërimin e Dedajt.

Bazuar në ligjin e ri për Shërbimin Civil, çdo emërim U.D duhet të shteren mundësit e zyrtarëve të lartë fillimisht, pastaj vijnë në konsideratë ata me grada më të ulëta.

Ministrja Hajdari e ka në diskredicionin e saj emërimin e kryeshefave të Agjencioneve, pasi me ligj i përgjigjen direkt ministrit.

Demokracia.com merr vesh se Dedaj është mik i Irfan Lipovicës, U.D i sekretarit i emëruar nga Qeveria Kurti.

Po ashtu Dedaj është edhe i besuar i Hajdarit, pasi shihet shpesh nëpër konferenca dhe takime me ministren.

Emërimi i Dedajt ka ardhur pas skadimit të mandatit të ish-kryeshefit, e që pozita kishte mbetur vakante tash e disa javë.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë edhe me ministren Rozeta Hajdari por ajo nuk është përgjigjur në telefon.

Emërimin në këtë pozitë e ka konfirmuar për Demokracia.com Dedaj.

“Po jem emëruar. Unë jam zëvendësues i drejtorit dhe çdo gjë është në rregull. Unë kam gjashtë vjet që kam qenë në pozitë udhëheqëse. Kam qenë drejtor i Departamenti të Tregtisë edhe tash kam kaluar këtu. Kam qenë ushtrues detyre i drejtorit në Departamentin e Tregtisë, kam pasur koeficientin 10. Tash kam 6-7 përvojë udhëheqëse”, ka thënë Dedaj.

E kur është pyetur edhe njëherë se sa e ka koeficientin, Dedaj është përgjigjur se do ta analizojë, sepse e nuk e di!

“S’e di nuk e kam këqyr saktë, e analizoj”, është përgjigjur ai.

(Kosova Sot Online)