Parlamenti malazez diskuton për mosbesimin ndaj Qeverisë

  • A.P /
  • 04 February 2022 - 17:12
Parlamenti malazez diskuton për mosbesimin ndaj Qeverisë

Parlamenti i Malit të Zi ka filluar debatin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.

Më herët, të premten, Parlamenti malazez refuzoi të diskutojë propozimin e kryeministrit Krivokapiq për shkurtimin e mandatit të legjislativit. Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit për të mos e futur atë pikë në rend dite.

Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Parlamentit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetë nga opozita.

Synimi i Krivokapiqit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Parlamentit.

Pika tjetër e rendit të ditës është votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit e propozuar nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe partia opozitare e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual Millo Gjukanoviq.

Ndonëse në fillim të seancës parlamentare erdhi kryeministri Krivokapiq dhe një numër tjetër ministrash, në sallën plenare mbeti vetëm ministri i Investimeve Kapitale, Mlladen Bojaniq.

Në rast se Kuvendi e voton mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit, ky do të jetë një fillim i negociatave për formimin e qeverisë së re.

Nisma për rrëzimin e Qeverisë është nënshkruar nga partitë e opozitës dhe Lëvizja Qytetare URA, të cilat kanë shumicën prej 44 deputetësh nga gjithsej 81 deutetë në Kuvend.

(Kosova Sot Online)