BE-ja i kërkon më shumë gaz shtetit që e përmendi Bislimi për ta diskredituar projektin amerikan

  • S.A /
  • 05 February 2022 - 09:21
BE-ja i kërkon më shumë gaz shtetit që e përmendi Bislimi për ta diskredituar projektin amerikan

Komisionerja e BE-së për energji, Kadri Simson, e ka vizituar Azerbajxhanin si pjesë e përpjekjeve për diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë dhe për ta pakësuar varësinë nga gazi rus. Pikërisht këtë shtet e kishte përmendur zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kur kishte raportuar para deputetëve në Komisionin për Integrime Evropiane. Komisionerja Kadri Simson u takua të premten me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev për të diskutuar rreth rritjes së sasisë së furnizimit me gaz. “Duam që vëllimi i gazit të eksportuar nga Azerbajxhani në Evropë të arrijë në 10 miliardë metër kub”, tha zyrtarja e BE-së në një konferencë për gazetarë pas takimit me presidentin azer. Një rritje e tillë është e rëndësishme “kundër sfondit të mungesave dhe çmimeve në rritje në tregun energjetik”, shtoi ajo ajo.

Pjesë e delegacionit të zyrtares evropiane në Azerbajxhan ishin edhe disa zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa shtete tjera evropiane, siç raporton “Free Europe”. Simson dhe Aliyev u takuan në takimin e tetë ministrot të Korridorit Jugor të Gazit, rajon nëpër të cilin Evropia furnizohet me gaz nga Deti Kaspik. Simson tha se Brukseli ka raporte të fuqishme dypalëshe me Azerbajxhanin, duke e quajtur këtë vend “partner të besueshëm për furnizimin me energji”, ndërsa presidenti azer tha se është “një fazë e re” e bashkëpunimit mes BE-së dhe Azerbajxhanit në fushën e energjisë. Në shtator të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, kur kishte raportuar para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane, e kishte përmendur Azerbajxhanin në “argumentimin” e tij dhe kishte thënë se “është duke ndodhur një manipulim i madh i opinionit”. “Sa i përket energjisë, është duke ndodhur një manipulim i madh i opinionit, marrëveshja për gazin që vjen nga Maqedonia nuk sjell as edhe një litër gaz nga ShBA-ja, i gjithë gazi që duhet të vijë nga linja prej Maqedonisë së Veriut është gaz azer dhe rus. Me dalë me mbrojtë linjën e gazifikimit që vjen nga Maqedonia me idenë që po e mbrojnë gazin amerikan është budallallëk, sepse gazi amerikan është gaz likuid, ai nuk transportohet përmes gypave por me kamionë ndërkaq i gjithë gazi që pritet të transportohet nga kjo linjë e gazifikimit është nga Azerbajxhani dhe Rusia”, kishte thënë Bislimi.

Çfarë projekti ka refuzuar Kosova?

Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë.

Për këtë arsye në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), raporton REL.

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror.

Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë afër 3,000 kilometra rrugë.

Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar.

Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane, që kryesisht mbizotërohen nga gazi rus. Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

(Kosova Sot Online )