Ramosaj kërkon zgjidhje për menaxhimin e ujit të pijshëm

  • A.P /
  • 07 February 2022 - 18:04
Ramosaj kërkon zgjidhje për menaxhimin e ujit të pijshëm

Nga Prokuroria Themelore e Pejës sot kanë bërë të ditur se është ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Pejë “Hidrodrini” për shkak të helmimit të mbi 1 mijë e 500 personave në korrik të vitit të kaluar në Deçan.

Në lidhje me rastin, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj  ka thënë se më shumë se 4 herë kanë nxjerrë vendime dhe u janë adresuar institucioneve qëndrore në lidhje me ujin e pijes në këtë komunë, por që nuk kanë marrë përkrahje për këtë.

Ai është shprehur se që një kohë të gjatë qytetarët e Komunës së Deçanit kanë adresuar ankesat e tyre për ujin e pijshëm dhe se komuna ka shprehur interesimin për menaxhimit e ujit.

“Realisht ne kemi shprehur interesimin edhe mëherët për menaxhimin e ujit të pijes për qytetarët e Komunës së Deçanit dhe qëndrojmë pranë kësaj kërkese duke e ditur se tashmë është një kohë tepër e gjatë që qytetarët e Komunës së Deçanit kanë ankesa tepër të mëdhaja, sidomos në sezonën e verës kur nuk kanë ujë të mjaftueshëm. Duke pasur parasysh këtë, atëherë komuna është dera e parë ku qytetarët i adresojnë kërkesat dhe ankesat e tyre për ujë të pijes dhe kur nuk ke përgjegjësi për me i furnizu me ujë dhe për me e menaxhu këtë ujësjellës, atëherë duhet me u arsyetu. Nganjëherë arsyetimet nuk janë të mjaftueshme”, ka deklaruar ai.

Ramosaj ka treguar se kanë nxjerrë vendim që  Kompania “Hidrodrini” t’ia jep kompetencat komunës, por që një gjë e tillë nuk është bërë.

“Diku në seancën në muajin korrik kemi nxjerrë një vendim që ndërmarrja Hidrodrini të heqë dorë dhe t;i dërgon kompetencat ku komuna ka të drejtë me themelu në bazë të Ligjit për Ndërmarrje Publike dhe në bazë të Ligjit për Shoqëritë Aksionare një ndërmarrje komunale ku aksionar jemi 100 për qind dhe ku do i merrnim përgjegjësitë vet si komunë, do t’i bënim investimet në taksat e qytetarëve për aq sa është e nevojshme për me pas ujë me cilësi, standarte të cilat duhet me i pas. Po ashtu të gjitha investimet në këtë ujësjellës me qenë të një niveli standard çfarë i kërkon edhe koha”, ka shtuar ai.

Ramosaj tutje ka thënë se qytetarët e kësaj komune vazhdojnë të paguajnë paushall për ujin.

(Kosova Sot Online)