14 shkurti në të cilin u dashurua Albin Kurti

  • A.P /
  • 14 February 2022 - 19:40
14 shkurti në të cilin u dashurua Albin Kurti

Për Qeverinë, është bërë punë e madhe. Në realitet, viti i parë i Kurtit, si pushtetar në plotëni, nuk është përcjell me mjaltë. Të rinjtë vazhdojnë të duan të ikin nga vendi me çdo kusht. Ka pasur rritje të çmimeve në pothuajse gjithçka. I rrymës ishte më signifikanti. Për Vetëvendosjen, të gjitha këto janë në ritmin global. Për Kurtin, 14 shkurti i fitores së tij përputhet bukur me ditën e dashurisë. Sikur do që numërimi të nisë prej asaj date. Për gjithçka që ka ndodhur para tij, thotë se është bërë keq.

Një vit më parë, më 14 shkurt 2021, ishte shumë ftohtë. Ndoshta dita më e ftohtë e atij viti. Të rinjtë dolën në masë të madhe për të votuar. Më shumë se 102 mijë votues nga diaspora ishin regjistruar për të votuar me postë.

Rreth 50% e qytetarëve në total iu përgjigjën thirrjes për t’i zgjedhur udhëheqësit e ardhshëm. Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje – tani edhe kryeministër – e quajti referendum. Partia e tij, të cilës iu bashkangjit edhe Vjosa Osmani, fitoi 50.28% të votave në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare një vit më parë.

Vjosa Osmani, si bartëse e listës pa Kurtin aty, arriti t’i mblidhte më shumë se 300 mijë vota atë ditë, duke u bërë njeriu më i votuar ndonjëherë në Kosovë, që prej kur zgjedhjet organizohen me lista të hapura. Ajo e kishte parë rezultatin e mirë të vendimit të saj për ta përplasur derën e LDK-së, kur kjo parti e shkarkoi nga çdo funksion brenda saj.

Ndërsa favoriti dhe fituesi i zgjedhjeve të asaj të diele, Albin Kurti, për shumëkënd mishëronte ndryshimin e pritur prej vitesh.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, pati thënë Kurti atë natë nga selia e LVV-së, pak pas mbylljes së vendvotimeve.

“Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”, shtonte ai.

Kurti kishte deklaruar se prioritet për ta është drejtësia dhe punësimi.

Me po aq entuziazëm, por e përmbajtur, Vjosa Osmani pati thënë se me fitoren e tyre “Kosova do të ndryshojë”.


Kjo fitore e Lëvizjes Vetëvendosje solli një reformim në udhëheqjet e partive tjera, ashtu siç kishte thënë Albin Kurti.

Isa Mustafa, ish-kryetari i LDK-së i cili ishte i bindur se kishte bërë mirë kur e nxori partinë e tij nga qeverisja me LVV-në, u detyrua të japë dorëheqje pas këtij rezultati. Mustafa vetë nuk mori pjesë në zgjedhje, por në njëfarë mënyre e pranoi përgjegjësinë e tij për rezultatin më të dobët në histori, të cilin e pësoi partia më e vjetër në vend. Ai mbeti anëtar i thjeshtë i partisë pas zgjedhjeve në LDK.

Lumir Abdixhiku e pasoi Mustafën, i cili nuk hoqi dorë vetëm nga pozita e kryetarit, por nuk u bë më as pjesë e procesit të jashtëzakonshëm zgjedhor brenda partisë.

Rezultati i jashtëzakonshëm i LVV-së në fillim të vitit e nxiti edhe PDK-në, ende me kryetar në detyrë, t’i organizonte më pas zgjedhjet e brendshme. Memli Krasniqi nuk pati asnjë kundërkandidat dhe u zgjodh kryetar. Kryesia e PDK-së ndryshoi po ashtu.

Dyshja karizmatike e krijuar nga Kurti dhe Osmani tashmë i kishte në duar të gjitha institucionet për ta nisur transformimin.

Popullariteti i tyre i madh i çoi ndoshta më shpejt sesa pritej në përgjegjësitë më të larta, nga ku e heqin çdo faj për çfarëdo dështimi.

Opozitarizmi ndaj Kurtit nuk ngjan aspak me Kurtin opozitar. Bajrakun e kundërshtisë po e mban vetëm dikur bashkëpunëtori më i afërt i Kurtit, Dardan Molliqaj, i cili arrestohet kohë pas kohe gjatë aksioneve kundër vendimeve të Kurtit.

Problemet e pazgjidhura

Edhe kjo Qeveri, pas asaja paraprake të udhëhequr nga Avdullah Hoti, u dashtë të krijohej në kohë pandemie. Pasojat në ekonominë e vendit, të shkaktuara nga mbylljet dhe masat kundër COVID-19, ishin evidente dhe menaxhimi i kësaj situate, ka mbetur ende më shumë si prioritet. Mbetet ende sfidë shumë e vështirë.

Pos kësaj, Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë.

Në gjithë këtë situatë, kryeministrit Albin Kurti i duhet të merret me dialogun me Serbinë, ndonëse kishte thënë se s’është prioritet i tij. Plani i tij për t’u angazhuar në dialog me serbët e Kosovës nuk është më as në letër. Reciprociteti i plotë me Serbinë, që sipas Kurtit do të vendosej vetëm disa ditë apo javë pasi të vinte sërish në pushtet, sikur u shty përgjithmonë.

Një sërë problemesh, disa prej të cilave veçse kanë ekzistuar në Kosovë, janë theksuar përgjatë vitit që shkoi dhe këtij fillimviti. Çmimet e produkteve, përfshirë ato baziket, janë shtrenjtuar.

Në mesin e një krize energjetike, qytetarët janë këshilluar nga Qeveria të mendojnë për kursimin e rrymës. Kryeministri Kurti paraprakisht ua kishte dhënë atyre dy opsione, “ose shtrenjtim të rrymës, ose reduktime”, ndërsa Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi së fundmi që ta shtrenjtojë rrymën për ata që shpenzojnë mbi 800 kWh në muaj. Faturat e shkurtit do të jenë goditja e radhës për qytetarët. Ato pritet të jenë shumë më të larta, edhe pas subvencionimit të Qeverisë.

Është shtrenjtuar edhe uji. Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit në Kosovë (ARRU) tha se kjo konsiston me rritjen e çmimeve të produkteve bazike, siç janë energjia elektrike dhe derivatet.

Të pakënaqur janë edhe gastronomët, të cilët protestuan disa herë, duke kërkuar lirimin e masave antiCovid.

Sindikatat kryesore në vend, të arsimit dhe të shendetësisë, kanë nisur disa herë numërimin mbrapsht për grevat.

Për kryeministrin Albin Kurti, disa prej kryesindikalistëve janë të padenjë.

Punëtorët shëndetësorë i kanë mbajtur dy greva në fund të vitit që shkoi. Ata dhe sindikalistët e sektorëve të ndryshëm në Kosovë po kërkojnë që Qeveria ta hartojë bashkë me ta një projektligj për pagat dhe që ai ligj të zbatohet nga viti 2022.

Përfaqësuesit e punëtorëve shëndetësorë thonë se ende nuk kanë mundur ta takojnë Kurtin për t’ia shprehur shqetësimet e tyre. Ndërkaq, kryeministri kishte thënë se “jemi të interesuar që të mos kemi takime të këtilla edhe në të ardhmen”, pasi thotë se ata “edhe më herët kanë takuar kryeministra e ministra, por problemet nuk janë zgjidhur”.

Përderisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), kishte paralajmëruar dy protesta dhe greva, tri sindikata të tjera, ajo e policisë, e doganave dhe zjarrfikësve janë duke i shqyrtuar mundësitë e protestës me kërkesën që Projektligji për pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat.

(Kosova Sot Online)