Për një vit buka u shtrenjtua për 15%, vaji për 34% e nafta për 24,5%

  • A.P /
  • 16 February 2022 - 16:34
Për një vit buka u shtrenjtua për 15%, vaji për 34% e nafta për 24,5%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se çmimet e konsumit në vendin tonë janë rritur mbi 7 për qind në krahasim me janarin e vitit 2021.

Këto të dhëna janë publikuar në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2022, viti bazë 2015=100.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 me muajin janar 2021 ishte 7,1%.

Rritjen më të lartë të çmimit e kanë pësuar vajrat dhe yndyrat ushqimore, që në krahasim me janarin e vitit të kaluar janë gati 34 për qind më shtrenjtë.

Buka dhe drithërat kanë pësuar rritje të çmimit prej gati 15 për qind, kurse energjia elektrike është shtrenjtuar për 12,3%.

Rritje të lartë të çmimit kanë pësuar edhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me një rritje prej 24,5% në raport me janarin e vitit të kaluar.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 7,1 për qind në muajin janar 2022, krahasuar me muajin janar 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (14,9%); mish (7,6%); qumësht, djathë dhe vezë (9,0%); vajra dhe yndyra ushqimore (33,7%); perime (11,7%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (9,2%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (6,1%); kafe, çaj dhe kakao (10,8%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2,7%); duhan (6,2%); këpucë (2,9%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (3,7%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (1,4%); energji elektrike (12,3%) - (ngritja e çmimit të energjisë elektrike është për shkak se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 centë më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19, Nr. 07/L-016, Neni 15); gaz (19,8%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (12,7%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2,8%); pajisje shtëpiake (5,6%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (2,5%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (4,6%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2,7%); produkte farmaceutike (4,4%); blerje e automjeteve (5,9%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (5,0%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (24,5%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (6,7%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9,9%); shërbime për transport (3,0%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative (2,2%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (1,7%); shërbime hoteliere (6,9%); kujdes personal (4,0%); gjëra personale (2,3%); dhe shërbime financiare (3,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 7,3 për qind në IHÇK”, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ndërsa, sipas ASK-së, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-5,8%) dhe veshje (-1,8%), me një ndikim prej (-0,2 për qind) në IHÇK.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së, ishte 0,9% në muajin janar 2022.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,9% në muajin janar 2022, krahasuar me muajin dhjetor 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1,2%); mish (1,3%); qumësht, djathë dhe vezë (1,5%); vajra dhe yndyra ushqimore (1,7%); perime (6,3%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0,6%); duhan (1,2%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (1,4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2,0%); shërbime për transport (2,3%); shërbime hoteliere (1,4%); kujdes personal (2,7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,9 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftim e ASK-së.


(Kosova Sot Online)