
Rrëfimi prekës i gazetares ukrainase: S’guxoja t’i telefonoja familjarët, doja t’ua zgjasja paqen

Një gazetare e njohur e pavarur ruse më thirri për një prononcim pasi Rusia nisi sulmet ajrore në të gjithë Ukrainën. Nuk u takuam kurrë, por ajo filloi të më kërkonte falje për atë që vendi i saj po bën dhe mund t’i bëjë timit. Të dy jemi reportere me përvojë dhe jemi mësuar të mbulojmë histori të vështira dhe konflikte. Kemi folur dhe kemi qarë.
Kështu filloi: ora 5 e mëngjesit. Në Kiev, Kharkiv, Odessa dhe përgjatë gjithë kufirit ruso-ukrainas 2000 km të gjatë.
Jam në kontakt me miq dhe kolegë në mbarë vendin që janë zgjuar dhe dëgjojnë shpërthimet. Një sulm i mundshëm më 24 shkurt ishte përmendur nga qeveria më parë. Pak orë më parë, në mes të natës, im shoq – gjithashtu gazetar, por jo korrespondent lufte – vendosi të shkonte me veturë në zyrën e një miku që është në detyrë për t’i marrë jelekët antiplumb “para se të nisë”.
Cfarë, ku? Kam raportuar më parë për luftën, kështu që jam mësuar me zhurmën e granatimeve. E di që nga larg dëgjohet një zhurmë e madhe, një raketë, një shpërthim ushtarak.
Ndërsa përpiqej t’i identifikonte vendet dhe drejtimet, dukej sikur Rusia po godiste objektivat ushtarake dhe aeroportet ushtarake, gjë që presidenti i Ukrainës e konfirmoi më vonë. Ai tha gjithashtu se mbrojtja ajrore e Ukrainës po funksiononte. Përpara sulmit të plotë të mëngjesit të sotëm, dëgjova nga ushtria për një objekt të caktuar që do të vihej në shënjestër në Kramatorsk dhe afër Kharkivit nëse ndodh diçka. Kjo njohuri më qetësoi. Më bëri të besoja se ushtria e dinte se çfarë të priste.
Unë isha një nga ata që deri në momentin e fundit nuk mund ta pranoja nocionin e një pushtimi të plotë me sulme ajrore në qytetet tona kryesore. Fjalimi i Putinit ishte i pështirë, por megjithatë kishte një justifikim logjik, nëse imagjinar, për një operacion të kufizuar rus. Sulmi në shkallë të plotë ndaj Ukrainës e shkatërron edhe atë.
Unë po flas me njerëz, duke bërë intervista, por në mes të kësaj po i paketoj gjërat dhe po hedh ujë në kova – për çdo rast. I thashë burrit tim, i cili nuk ka qenë kurrë në luftë, mos dil në ballkon. Ai bën shaka: më në fund do ta lë të pijë duhan brenda.
Unë drejtoj një organizatë mediatike, nuk duhet të merrem me lajmet e fundit. Por tani duhet ta bëj. Është zgjedhja ime, por më duket si detyrë. Mora mesazhe nga miq jashtë vendit, nga Kili i largët, që më pyesnin a duhet të vazhdoj të raportoj vërtet. Vetëm një ditë më parë anulova një bursë prestigjioze në Vjenë për të shkuar në vijën e frontit lindor. E kam mbuluar konfliktin atje për tetë vjet. Për mua, ka vetëm një vend për të qenë.
Lexoj mesazhe dhe marr lajme se qytete të tjera janë nën sulm dhe dalëngadalë bëhet më e qartë. Disa nga lajmet për marinsat rusë në Odessa rezultuan të pavërteta. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili pak orë më parë regjistroi një fjalim emocionues për qytetarët rusë duke u kërkuar atyre që ta ndalonin luftën, lëshoi një deklaratë të re. Ai iu referua një kënge të famshme antiushtarake nga Lufta e Dytë Botërore: “A duan rusët luftë?”, dhe shtoi: “Përgjigja është mbi ju”.
Në deklaratën e re një minutëshe ai na ka kërkuar të qëndrojmë në shtëpi, të mos nxitojmë, por të jemi të fortë.
Në orën 6.30 të mëngjesit, mes çdo gjëje, u dërgoj një mesazh njerëzve me të cilët duhej të ishim mbledhur për një ngjarje sot – mbrojtësit e të drejtave të njeriut, disa deputetëve dhe zyrtarëve. Është një mesazh me një fjalë: “anulohet”. Secili prej tyre është zgjuar dhe marrim e ofrojmë mbështetje. Ndihem shumë e emocionuar.
Dëgjojmë mesazhe për sulme të mundshme ajrore. Megjithatë pjesa tjetër e qytetit mbetet e qetë. Dëgjojmë zhurmën e policisë, por jo sirenat ushtarake.
Lutjet vazhdojnë. Gazetarët shkruajnë se metroja ende funksionon, ndërsa shumë vendosin të shkojnë me veturë në pjesën perëndimore të vendit. Hekurudhat e Ukrainës na informojnë se trenat që shkojnë në perëndim janë duke lëvizur.
I tregova mikes time gazetare ruse për gjendjen tonë. Për vite me radhë kam hezituar ta krahasoj ndonjë diktator me Hitlerin, apo ndonjë luftë me Luftën e Dytë Botërore. Krahasimi më dukej i ekzagjeruar, madje vulgar.
Por çfarë analogjie tjetër ka? Pa asnjë arsye, në një akt të çmendurisë së pastër, një sulm ajror i modës së vjetër është shkaktuar ndaj një vendi fqinj.
Ia tregova këtë koleges sime ruse dhe u përpoqa shumë të mos merrej vesh sesi më dridhej zëri. Ajo kërkoi përsëri falje.
Ekziston një frazë e famshme, “Në 4 të mëngjesit Kievi është bombarduar”. Çdo fëmijë ukrainas dhe rus e di këtë. Kështu tingëllonte njoftimi për bombardimin gjerman të Kievit në vitin 1941.
Dhe ja ku jemi: 24 shkurt, ora 5 e mëngjesit, Kievi bombardohet nga Rusia.
Më mirë që e mbylla telefonin. Nuk dua që kolegia ime gazetare të më dëgjojë duke qarë. Dhe pastaj motra ime telefonon. E dija se do ta bënte, jam unë që familja dhe nëna ime drejtohen kur ka telashe ose duhet ta dinë se çfarë po ndodh.
Për dy orë e gjysmë që nga fillimi i pushtimit, ata ishin duke fjetur. Nuk guxoja t’i telefonoja. Unë me të vërtetë nuk doja. Doja t’ua zgjasja paqen, qoftë edhe për disa orë.
(Kosova Sot Online)