Dita e katërt e luftimeve: Zbarkimi i rusëve në Kharkiv, Kievi reziston ende

  • A.P /
  • 27 February 2022 - 11:07
Dita e katërt e luftimeve: Zbarkimi i rusëve në Kharkiv, Kievi reziston ende

Ukrainasit kanë hyrë në ditën e katërt të luftimeve për mbrojtjen e vendit të tyre, ndërsa forcat ruse në orët e para të mëngjesit kanë arritur të hyjnë në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.

Qindra trupa ruse kanë arritur ta thyejnë rezistencën dhe të hyjnë në qytetin e Kharkivit, ndërsa autoritetet ukrainase tregojnë se plani i Rusisë megjithatë nuk po shkon siç ishte parashikuar.

Qytetarët kanë marrë thirrje nga autoritetet që mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Kharkivi, me një popullsi prej rreth 1.4 milion qytetarësh, ndodhet më pak se 20 milje (32 kilometra) në jug të kufirit rus. Trupat ruse iu kishin afruar qytetit pothuajse menjëherë pasi pati filluar pushtimi të enjten.

Gjithashtu u raportua se trupat ruse tashmë e kanë në kontroll dhe Nova Kakhovka, një qytet të vogël, por shumë strategjik që shtrihet përgjatë lumit Dnieper.

Pas tri ditësh luftimesh që ndryshuan Ukrainën dhe botën, ministri ukrainas i Mbrotjes, Oleksii Reznikov u shpreh tepër optimist.

“Ku janë të gjithë ata që premtuan pushtimin e Kievit për 72 orë? Ku janë ata? Nuk po mund t’i shoh”, shkroi ai mëngjesin e sotëm.

Kievi vazhdon të rezistojë

Ndërsa e gjithë vëmendja e botës është në Kiev, kryeqyteti ukrainas vazhdon të mbetet “i paprekshëm”. Autoritetet ukrainase kur flasin për fitoret, i referohen në masë të madheve luftimeve në kryeqytet, ku edhe civilët po ndihmojnë për t’i mbajtur forcat pushtuese sa më larg.

Qytetarët në disa pjesë të qytetetit janë pajisur me molotov për t’i sulmuar tanket ruse.

Rusia thotë se po “përparon”, Ukraina e mohon

Rusia pretendon se dy qytete jugore janë “plotësisht të bllokuara” nga trupat ruse.

Ushtria ruse pretendoi “përparime” rreth qyteteve jugore të Ukrainës, Kherson dhe Berdyansk, tha një deklaratë e Ministrisë ruse të Mbrojtjes të dielën, raporton CNN. Mediumi amerikan tha se ende nuk ka mundur t’i verifikojë këto pretendime.

Nga ana e Ukrainës thonë se pretendimet e rusëve vijnë për shkak të raportimeve se forcat e Putinit po lëvizin më ngadalë nga sa ishte parashikuar fillimisht.

Sipas një vlerësimi të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Britanisë të shtunën vonë, trupat ukrainase mbeten të motivuara dhe të afta për t’i mbajtur pozicione kyçe të tyre.

Forcat ruse në vështirësi

Rusia po përballet po ashtu me vështirësi të papritura në furnizimin e forcave të saj dhe po përjeton humbje më të rënda në personel, forca të blinduara dhe avionë sesa pritej, thanë për CNN dy zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara.

CNN po ashtu ka raportuar se nga Rusia, pretendojnë, pa prova, se shumë ushtarë ukrainas po refuzojnë masivisht për ta vazhduar luftën.

Mundësia për bisedime, Ukraina refuzon të negociojë me armikun në Bjellorusi

Një delegacion rus ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime të mundshme me përfaqësuesit ukrainas, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Peskov tha se delegacioni përfshinte përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe departamenteve të tjera, përfshirë administratën presidenciale.

Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka refuzuar ofertën, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Megjithatë, presidenti ukrainas lë të hapur mundësinë për të kryer negociata me Rusinë në vende të tjera, shkruan BBC.

“Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga Bjellorusia, ne mund të bisedonim në Minsk. Sigurisht që ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të përfundojë. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku – ua kemi ofruar rusëve. Jemi të hapur për bisedime nga çdo qytet tjetër, nga territori i të cilit nuk lëshohen raketa ndaj nesh. Vetëm kështu negociatat mund të jenë të ndershme dhe mund t’i japin fund luftës”, tha Zelenskiy.

Polonia siguron transportin e të plagosurve nga Ukraina

Polonia do të sigurojë një tren special për t’i transportuar të plagosurit nga Ukraina në spitale të ndryshme në Varshavë, tha një zyrtar të shtunën.

“Polonia nuk e harron ndihmën për Ukrainën. Ne po nisim një tren për të plagosurit që pësuan si rezultat i operacioneve ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës”, tha në një postim në Twitter Stanisław Żaryn.

Franca dërgon karburant dhe pajisje mbrojtëse në Ukrainë

Franca do të dërgojë furnizime me karburant në Ukrainë së bashku me pajisje mbrojtëse për ta mbështetur rezistencën e vendit ndaj pushtimit rus, tha Pallati Élysée në një deklaratë të shtunën pas një takimi të pjesshëm të këshillit kombëtar të mbrojtjes.

Në deklaratë nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi pajisjet mbrojtëse, por një burim i Elysée u tha gazetarëve se kjo mund të përfshijë armë antitank.

Ushtarë rusë bien në duart e forcave mbrojtëse të Ukrainës

Gjeneralmajori ukrainas Borys Kremenetsky u tha gazetarëve në Washington të shtunën se Ukraina ka kapur rreth 200 ushtarë rusë, raporton CNN.

“Kemi kapur rreth 200 ushtarë rusë, disa prej tyre të rinj, të patrajnuar fare, të pajisur keq. Ne i trajtojmë ata sipas Konventës së Gjenevës, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Kremenetsky, i cili është një zyrtar i mbrojtjes në Ambasadën e Ukrainës në SHBA.

Ai tha gjithashtu se ushtarëve u lejua t’i telefononin prindërit e tyre dhe iu dhanë ushqim e ujë.

Kremenetsky tha se ai po punon ngushtë me Pentagonin, por Ukraina ka ende nevojë për më shumë mbështetje me ndihmën ushtarake.

Bilanci i OKB-së

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se 64 civilë kanë humbur jetën ndërsa 240 të tjerë kanë humbur jetën në ditën e katërt të luftimeve në Ukrainë.

Në raportin e fundit të OKB-së thuhet se bilanci i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.

(Kosova Sot Online)