
Liderit çeçen s’i pëlqejnë bisedimet, bën thirrje për pushtim

Ramzan Kadyrov, udhëheqësi pro-Putin i rajonit rus të Çeçenisë, i bëri thirrje ushtrisë ruse të dielën që ta zgjerojë ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë, raporton CNN.
“Ka ardhur koha për të marrë një vendim konkret dhe për të filluar një operacion në shkallë të gjerë në të gjitha drejtimet dhe territoret e Ukrainës”, tha Kadyrov në një deklaratë në llogarinë e tij.
“Unë vetë kam zhvilluar vazhdimisht taktika dhe strategji kundër terroristëve, kam marrë pjesë në beteja. Sipas mendimit tim, taktikat e zgjedhura në Ukrainë janë shumë të ngadalta. Ajo zgjat një kohë të gjatë dhe, sipas mendimit tim, nuk është efektive” tha ai.
Kadyrov është akuzuar nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe të pavarur për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e tij dhe më gjerë.
Ai drejton forca të konsiderueshme paraushtarake që – megjithëse formalisht janë pjesë e strukturave ruse të sigurisë – kanë besnikëri personale ndaj tij.
(Kosova Sot Online)