
Kurti kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për SkyNews ka thënë se kjo që po ndodhë në Ukrainë, Kosova e ka përjetuar në pranverën e vitit 1999.
Kurti tha se nga lufta e vitit 1999, 860 mijë shqiptarë të Kosovës u deportuan për në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore.
“Qindra masakra u kryen, 12 mijë civilë të paarmatosur u vranë dhe 20 mijë gra u përdhunuan”, tha Kurti për rrjetin televiziv britanik të lajmeve SkyNews.
Sa i përket inovazionit rus, Kurti u shpreh se këtë duhet ta dënojë ashpër secili politikan botëror.
Kryeministri Kurti tha se Serbia është vendi i cili nuk i është bashkuar BE-së në dënimin e pushtuesit rus, teksa theksoi se shteti serb nuk ka vënë sanksione ndaj Federatës Ruse.
“Ballkani nuk është imun nga efektet e situatës në Ukrainë, për shkak se në Ballkan kemi një shtet që nuk ka vënë sanksione ndaj Federatës Ruse, që nuk i është bashkuar BE-së në dënimin e inovazionit rus dhe ky vend është Serbia, shteti ynë fqinj”, tha Kurti.
“Të gjitha kompanitë ruse i kanë degët e tyre në Serbi, dhe prandaj qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik i Federatës Ruse, Vladimir Putin, do të provojë të transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta bërë edhe një fushëbetejë me demokracitë perëndimore. Por, ne jemi të vendosur dhe vigjilent, dhe nuk jemi të frikësuar”, ka shtuar Kryeministri i Kosovës.
Kurti gjithashtu tha se Kosova dëshiron t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s.
“Tani për tani kemi NATO-n në Kosovë, por sa më shpejtë të anëtarësohemi në këtë organizatë, aq më mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës, për Republikën e Kosovës, por edhe për gjithë regjionin dhe kontinentin evropian në përgjithësi”, tha Kurti.
I pyetur për deklaratën e Ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, se njerëzit nga Kosova po shkojnë në Donbask për të luftuar, kryeministri Kurti tha se ai dëshiron ta destabilizojë Ballkanin, dhe e quan të pavërtetë këtë deklaratë të tij.
“Nuk ka qytetarë të Kosovë që kanë shkuar për të luftuar në Donbask”, tha Kurti.
Kurti e quajti Putinin lider despotik, të hidhur dhe strategjik, derisa theksoi se Putin e urren NATO-n dhe Perëndimin.
Sipas Kurtit, BE-ja dhe NATO duhet të përfshihen më shumë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa i bëri thirrje 5 shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë atë.
“Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në paqe, stabilitet dhe siguri.
(Kosova Sot Online)