Nga sot, automjeteve të regjistruara u vendosen stikersa

  • A.P /
  • 15 March 2022 - 16:44
Nga sot, automjeteve të regjistruara u vendosen stikersa

Prej sot ka filluar vendosja e stikersave në automjetet e regjistruara. Krejt kjo me synim që të ulet numri i automjeteve të paregjistruara.

Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), Fehmi Mehemti, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi si dhe Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, e kanë vlerësuar tejet të rëndësishme këtë nismë, e cila sipas tyre do të ndikojë edhe në rritjen e sigurisë në trafik.

Zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi, tha se ideja është që të ulet numri i automjeteve të paregjistruara nën 5%.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm, një hap shumë i madh me qëllimin e vetëm që përmes këtij projekti të ulim numrin e automjeteve të paregjistruara në Kosovë, që është një pengesë jashtëzakonisht e madhe që ne të anëtarësohemi në kartonin e gjelbër dhe të marrim benifitet shumë të mëdha që vijnë prej tij”, ka thënë Durmishi.


Ai pret që me këtë dhe me disa projekte të tjera, shpejt të ulët numri i veturave të paregjistruara nën 5 për qind.

Stikersat do t’u vihen veturave posa të regjistrohen dhe në të do të jetë data e skadimit të sigurimit.

Stikersat do të ndahen falas.

Guvernatori i Bankës Qendrore i Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, tha se përveç uljes së numrit të automjeteve ta paregjistruara, vendosja e stikersave do të ulë edhe aksidentet me fatalitet.

Qeveria Kurti ka kohë që ka paralajmëruar planin për vendosjen e stikersave në xhamat e përparmë të veturave, por në fillim ishte menduar që qytetarët të paguanin nga pesë euro për të, gjë që nxiti reagime të shumta dhe plani u shty deri më sot.

(Kosova Sot Online)