
Europarlamentarët ia bëjnë “gjyqin” Dodik’ut

Michael Gahler, anëtar i Parlamentit të Bashkimit Europian, e ka pyetur kreun e Republika Srpskas, anëtarin e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik se për çfarë kishte biseduar me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe nëse ai do ta njihte rajonin e Banja Llukës si të pavarur, siç bëri Putini me Donetskun dhe Luhanskun. Ai e pyeti Dragan Çoviqin (udhëheqës i Bashkimit Demokratik Kroat -HDZ në Bosnjë e Hercegovinë) se çfarë pret nga kroatët kur është kaq i lidhur me Dodikun, i cili është i lidhur me Putinin, raporton N1.
“I bëj thirrje zotit Dodik që t’i ndërpresë lidhjet me Kremlinin dhe të ndalojë retorikën shkatërruese. Zoti Çoviq, ju bëj thirrje që të distancoheni nga zoti Dodik derisa ai ta dënojë agresionin”, tha eurodeputetja Tineke Strik.
Kritika pati edhe eurodeputeti tjetër, Dietmar Köster. Ai gjithashtu iu drejtua Dodikut, përcjell Gazeta Express.
“Nuk ka vend në Europë për mohuesit e gjenocidit. Bllokimi i vazhdueshëm i institucioneve të BeH dhe përdorimi i retorikës nxitëse në publik çon vetëm në paqëndrueshmëri dhe vonesa në arritjen e reformave që janë kaq të rëndësishme për vendin dhe një jete më të mirë për njerëzit. Mesazh për të gjithë ju: Unë përsëris mbështetjen time për një Bosnjë të bashkuar, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe rrugën e saj europiane. Ne jemi me Bosnjën, po punojmë me ju për ta mundësuar dhënien e statusit të kandidatit”, tha ai.
“Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që të siguroni një vend demokratik funksional për ta vazhduar këtë proces. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbrojnë institucionet shtetërore. Jam i zhgënjyer me diskursin etik edhe pse jeni në rrugë pa krye. Të rinjtë po largohen nga vendi, nuk kanë të ardhme. A do të fokusoheni më në fund në atë që nevojitet, kohezionin social për ta përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë? Dhe a doni t’i shfuqizoni politikat diskriminuese?”, pyeti Koster.
(Kosova Sot Online)