Haradinaj: Kurti ka devijuar

  • A.P /
  • 22 March 2022 - 21:58
Haradinaj: Kurti ka devijuar

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se ka barazuar Kosovën me Serbinë. Haradinaj thotë se Kosova është viktimë e Serbisë, dhe dikush që bën një barazim të tillë, ka devijuar.

I pari i AAK’së ka komentuar deklaratat e fundit të kryetarit të VV’së rreth ish-krerëve të UÇK’së që aktualisht ndodhen në Hagë.

“Kurti është i frikësuar nga gjykimi i opinionit se ai e pësoi keq në zgjedhjet komunale, dhe është në njëfarë mënyre i dënuar prej mashtrimeve të veta, prej qasjes jorealiste dhe në këtë rast keqpërdorimit të besimit që ia kanë dhënë njerëzit”, tha Haradinaj.

“Ata që i ka sha qe një vjet e sa, s’ka lënë gjë pa thënë, ai ka shkuar deri aty sa ka barazuar Kosovën me Serbinë në Bruksel, që Kosova duhet me u liruar prej kriminelëve të luftës, në parti politike dhe institucione, pra na ka barazuar me kryesit e gjenocidit në Kosovë, ndërsa tash i ka ra në mend se këta që kokan në parti politike nuk janë kriminel por janë shokë të Adem Jasharit”, shtoi ai.

“Kur kryeministri deklaron e thotë se ne në Ballkan kemi nevojë, ai nuk thotë se Serbia ka nevojë, me u lirua prej kriminelëve të luftës, që janë në parti dhe në institucione. Tani pyetja është për Kurtin? A jemi ne pjesë e Ballkanit, a është Kosova  dhe kush është kriminel i luftës që është në parti dhe në institucione. Nëse ka të tillë, a më jep listën se ti po e dijke që paska”, shpjegon Haradinaj.

“Njeriu që e thotë këtë vërtetë ka bërë një devijim të madh, pra një dalje ka përkatësia e tij, se kush është ai, ai është përfaqësues i një populli viktimë dhe i ka në parlament dy përfaqësuese të viktimave, Saranda Bogujevcin dhe Vasfije Krasniqin. Si guxon tash kryeministri me e cilësuar vendin e vetë njëjtë me ata që i kanë shkaktuar këto pasoja këtij vendi”, tha Haradinaj.

(Kosova Sot Online)