
Cila është fuqia aktuale e VV, PDK, LDK!

Kë do ta votonin kosovarët, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel? Pas një viti qeverisje, sa është përkrahja ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes? Si qëndrojnë LDK-ja e PDK-ja me përkrahje në terren? Kë e votojnë studentët? Kë e votojnë të rinjtë e kë pensionistët?
Qeveria “Kurti II” ka pasur përvjetorin e saj këto ditë. Një vit qeverisje, fillimin e së cilës e kishte me përkrahje mbi 50 për qind, i ka shkuar me ulje e ngritje.
Zgjedhjet i fitoi në mars të 2021-s, ndërsa Qeveria Kurti, pas disa muajve e kishte provimin e parë në zgjedhjet lokale, në të cilat doli subjekti i katërt me komuna. Por, tashmë është konfirmuar se lokalet nuk janë pika e fortë e LVV-së. Megjithatë, LVV ka njëfarë garancie që lëviz, por qëndron aty, te zgjedhjet nacionale. Pak a shumë, këtë e thonë matjet e fundit në publik.
Sipas hulumtimit të opinionit publik, rezultatet e të cilit janë publikuar dje në Pressing, LVV-ja prapë do të ishte subjekti i parë. Veçse, jo me përqindjen e njëjtë me të cilën i ka fituar zgjedhjet. Pra, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, matjet tregojnë se VV s’do të kishte rezultat referendumi, ku gara e VV-së “ne dhe ata” do të bëhej me nga 50 për qind.
Rezultatet tregojnë se tani VV-në do ta votonin 38.3 për qind. Që i bie, me përqindje të përgjithshme, ka rënë për 12 për qind. Nëse llogaritet me votuesit që ajo i ka pasur një vit më parë, i bie që ka 24 për qind votues më pak.
PDK, sipas këtyre matjeve, ka rritje prej 2 për qind dhe do të dilte sërish e dyta, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel.
LDK-ja e Lumir Abdixhikut, sipas rezultatit të hulumtimit, është akoma parti e tretë, veçse ka lëvizur nga rreth 13 përqindëshi i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Me matjet e fundit, LDK del te 17.7 për qind.
Në matje është përfshirë edhe subjekti politik i formuar nga Presidentja e tanishme, Vjosa Osmani. Të dhënat thonë se Listën “Guxo” do ta votonin 1 për qind e numrit të përgjithshëm të respondentëve.
Ndërkaq, me vota të deklaruar, pra pa përfshirë ata që kanë thënë se votojnë por nuk kanë dhënë subjekt, përqindja është kjo:
Kënaqshmëria për Qeverinë Kurti është në vitin e parë të tij është mbi 50 për qind. 20.3 janë shumë të kënaqur, ndërsa 30.9 për qind janë thjesht të kënaqur.
Këto rezultate, nëse do të përktheheshin në ulëset e Kuvendit, do t’i binte që VV-ja t’i ketë 46 deputetë; PDK-ja, 24 dhe LDK-ja, 22 deputetë. Aleanca do të merrte 8 deputetë, ndërsa 20 deputetët do të ishin, sic edhe janë të rezervuara, për pakicat. Ndarja është bërë, pa përfshirë votat me postë.
Më shumë gratë, se burrat, do ta votonin LVV-në, LDK-në dhe Listën Serbe.
Një matje interesante tregon ndarjen e votuesve potencialë, sipas moshës.
Lëvizja Vetëvendosje, thonë matjet të cilat kanë përfshirë mbi 1 mijë respondentë, do të votohej në masë më të madhe nga të rinjtë. Mirëpo bie në sy që edhe shumica e personave mbi 65 vjeç, do ta votonin LVV-në.
Nga 100 për qind e të rinjve të moshës 18-24 vjet, që janë përgjigjur për votën e tyre, 43.4 për qind e tyre kanë thënë se e votojnë LVV-në, 24.3 për qind PDK-në, 21.4 për qind LDK-në, 4.6 për qind AAK-në.
Matjet tregojnë se para PDK-së, LDK-në do ta votonin personat e moshës nga 35 vjet deri në 54 vjet dhe ata mbi 65 vjeç.
Pensionerët e Kosovës, 56.5 për qind e tyre, sipas matjeve, do ta votonin LVV-në, 20.4 për qind LDK-në, ndërsa 9.3 PDK-në dhe njëjtë edhe AAK-në.
Një përqindje 30-40 për qind e personave që janë të papunësuar thonë se do ta votonin Vetëvendosjen.
46.9 për qind e të anektuarve, që punojnë në sektorin privat thonë se do ta votonin LVV-në. Ndërsa nga të punësuarit e sektorit publik, 28 për qind thonë se do ta votonin Vetëvendosjen, 25.6 PDK-në, e 17.1 për qind LDK-në.
Matjet thonë se LVV e merr edhe shumicën e votave të pensionistëve, një përqindje të madhe të amvisëve.
Ndërkaq te studentët, LVV nuk ka dallim të madh të votave, si te shtresat e tjera. 35 për qind e studentëve që janë përgjigjur thonë se do ta votonin Vetëvendosjen, 30 për qind thonë se do ta votonin LDK-në dhe 20 për qind PDK-në.
E, cila do të ishte zgjedhja e dytë e gjithë këtyre të anketuarve që janë përgjigjur?
Mbi 50 për qind e tyre thonë se nuk ka zgjedhje të dytë, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë. Për shembull, 13.3 për qind, në fakt më së shumti, thonë se do subjektin e dytë që do ta votonin, është LDK-ja.
Në këtë rast, lista “Guxo” ngritet pak. 6.2 për qind kanë thënë se zgjedhje të dytë do ta kishin partinë e formuar prej Presidentes.
Specifikat e atyre që janë përgjigjur për subjetin e dytë më të prefuar janë interesante po ashtu. Për shembull, 8.63 për qind e atyre që e kanë zgjedhje të parë VV-në, thonë se zgjedhje të dytë do ta kishin PDK-në.
Ndërsa, nga votuesit parimorë të PDK-së, 2.3 për qind e tyre e kanë opsion të dytë PDK-në. 10 për qind e votuesve potencialë të LDK-së, nëse jo atë, do të votonin LVV-në.
Shënim: Në këtë hulumtim janë përgjigjur 1065 veta, në periudhën kohore 7 deri më 15 mars të këtij viti. 42.8 për qind e të anketuarve kanë qenë nga zonat urbane, ndërsa 57.2 për qind nga zonat rurale. 50.3 për qind e tyre kanë qenë burra, ndërsa 49.7 për qind gra.
(Kosova Sot Online)