
Kurti: Kemi identifikuar 10 organizata ekstremiste serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e sigurisë në vend, pas tensioneve të ngritura si pasojë e shpërthimit të luftës në Ukrainë. Kurti, ka thënë se qeveria po përgatitet që të mos befasohet nga ndonjë mësymje e mundshme ndaj Kosovës.
Ai ka thënë se janë identifikuar 10 organizata ekstremiste të djathta serbe që përpiqen ta destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë. Sipas Kurtit, AKI i ka dërguar informacionet e gjetura në Prokurorinë e Shtetit.
Janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë, të cilat propagandojnë urrejtje, jo vetëm nacionale por edhe fetare, dhe që kanë njëfarë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike… dhe që e kanë një këmbë në Beograd dhe një në Moskë. Janë organizata si 1939 dhe Car Llazari, po i përmend vetëm dy, por ka edhe të tjera”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka thënë mbledhjet e Këshillit të Sigurisë janë shpeshtuar, dhe sipas tij, një e tillë do të mbahet edhe nesër.
“Kemi shpeshtuar mbledhjet e Këshilliut të Sigurisë, ku diskutojmë informacionet më të reja, bëjmë përgatitjet më të reja, sa i përket pajisjeve por edhe vëzhgimeve dhe aktiviteteve. Një takim e kemi edhe nesër”, ka thënë kryeministri në një intervistë për KTV-në, transmeton Gazeta Express.
“Në prapavijë, intensivisht jemi duke u përgatitur që të mos ketë kurrfarë befasie dhe institucionet të jenë të sinkronizuara dhe të jenë të përgatitura ndaj çfarëdo mësymje ndaj Kosovës nga kushdoqoftë”, ka shtuar Kurti.
(Kosova Sot Online)