Largohet nga Kosova grupi i fundit i afganëve

  • A.P /
  • 25 March 2022 - 16:49
Largohet nga Kosova grupi i fundit i afganëve

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se grupi i fundit i refugjatëve afganë është larguar nga Kosova sot.

Sipas Sveçlës, Qeveria dhe Ministria që ai drejton morën përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë.

“ Sot përcollëm nga Kosova grupin e fundit të qytetarëve afganë të cilët ishin të akomoduar në kampin “Bechtel” në Ferizaj. Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Punëve të Brendshme, kemi pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët tanë, jemi drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi. Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë”, ka shkruar më tutje ai.

(Kosova Sot Online)