
Vulin padit dëshmitarin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se kanë inicuar kallëzim penal ndaj Boban Bogdanoviç i cili të marten dëshmoi për gazetën investigative “KRIK” rreth vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, raportoi e përditshmja serbe “Danas”.
Vulin tha se “Bogdanoviç refuzoi të testohet në poligraf dhe nuk paraqiti asnjë dëshmi”, dhe se për këtë arsye “Serbia është shtet serioz që të lejojë gënjeshtra të tilla”.
Kujtojmë se Bogdanoviç tha se Ivanoviç është vrarë me urdhër të kriminelit dhe biznesmenit famëkeq serb të Kosovës, Zvonko Veselinoviç (i cili është në listën e zezë të ShBA-së), me përgatitje të terrenit dhe logjistikës të nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiç (gjithashtu në listë të zezë të ShBA-së), dhe që ekzekutori i vrasjes ishte një kriminel nga Novi Sadi, Ljubomir Lainoviç, i cili për këtë vrasje u tha t’i ketë marrë 50 mijë euro pagesë.
“Ministria e Punëve të Brendshme, duke përdorur të gjitha mundësitë në pajtim me ligjin, ka përgatitur kallëzim penal për mosraportim të krimit dhe autorit të krimit, të cilën do t’ia dorëzojmë prokurorisë, dhe presim reagim të shpejtë”, ka thënë Aleksandër Vulin.
Ai i quajti gënjeshtra dëshmitë e Bogdanoviçit.
“Serbia është shtet serioz dhe nuk lejohen gënjeshtra brutale”, tha Vulin.
“Gjithçka që gazeta KRIK botoi u botua nga mediat e shqitparëve [Vulin përdori termin fyes dhe racist Siptari] si e vërtetë e pjekur, si dhe në vendet e rajonit, si dëshmi që ne jemi shtet kriminal”.
Madje, Vulin tha se “po të kishin qenë ata gazetarë, do të kishin pritur ta botojnë atë pas zgjedhjeve në Serbi”, ngase sipas tij, është bërë me motiv që të ndikohet rezultati zgjedhor në Serbi.
Ky ministër mes tjerash tha se “Serbia është duke punuar shumë në zbardhjen e këtij rasti”.
“Ne u kemi kërkuar ndihmë shërbimeve më të rëndësishme në botë që janë prezentë në Kosovë – që nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, EULEX-it, sepse nuk mund të kryejmë hetime në Kosovë”, tha Vulin duke thënë se edhe nuk po gjejnë “ndihmë”.
“Ne po punojmë seriozisht, po luftojmë çdo ditë për të zbuluar të vërtetën dhe për të mos lënë asnjë autor të pazbuluar”, tha Vulin.
(Kosova Sot Online)